Reali i Madridit ka fituar të mërkurën në mbrëmje Superkupën e Europës, teksa ka mundur 2-0 Atalantës ku protagonist ishte dhe Mbape me golin e tij të parë që në debutimin me fanellën e bardhë. Një donim që nisi në Lisbonë në vitin 2014 dhe ndalesa e tij e fundit, tani për tani, është stadiumi “Nacional” në Varshavë, ku Madridi fitoi Superkupën e gjashtë europiane.
Ka qenë më shumë se një dekadë e dominimit me grusht të hekurt nga ekipi i bardhë në garat europiane. Që nga mbërritja e “La Décima” (Championsi numër 10) e në Lisbonë, janë luajtur 22 finale ndërmjet Ligës së Kampionëve dhe Superkupës së Europës. Gjysma, 11 (gjashtë Champions dhe pesë Superkupa) janë në vitrinën e muzeut të Realit. Kësaj ai i shton pesë Kupat e Botës për Klube. Një dominim i fuqishëm dhe i gjerë në kohë, i panjohur deri më tani.
MADRIDI I DI STEFANOS – Është ende një ekip unik, ai i pesë Kupave të para të Europës. Një dominim i padiskutueshëm midis viteve 1956 dhe 1960, pesë vitet e para të kompeticionit. Reali kishte një kopje të trofeut në vitin 1966, në të cilin kishte ende kampionë nga cikli i parë triumfues i Madridit. Por më pas në Europë u hap një humnerë prej 32 vitesh. Pa Superkupën e Europës në lojë (trofeu lindi në vitet ‘70), ajo skuadër fitoi kupën e parë Ndërkontinentale, në vitin 1960. Ai i vitit 1966 i shkoi në Uruguai te Penjaroli.
BENFIKA E EUSEBIOS – Ajo skuadër mori stafetën nga Madridi me dy trofe radhazi në finale (1961 dhe 1962, e dyta kundër Madridit), por u ndal atje te dy Kupat e Kampioneve radhazi. Pastaj erdhi mallkimi i Bela Gutman dhe pesë finalet e humbura në Europën e madhe. Skuadra e Lisbonës humbi dy Kupat Ndërkontinentale që luajti, kundër Penjarolit dhe Santosit.
INTER LUIS SUAREZ E HELENIO HERERAS – Një tjetër ekip që dukej se po niste një fazë të gjatë donimi i në futbollin europian. Ata fituan Kupën Evropiane dy herë radhazi (1964 dhe 1965) për të rënë në dy të tjerat, respektivisht, në gjysmëfinale (Madrid) dhe në finale (Sëlltik). Interi mundi Independienten (Argjentinë) në të dyja finalet për atë që u konsiderua si kurora botërore (Kupa Ndërkontinentale, sot Botërori i Klubeve).
AJAKSI I KROJFIT – Një ekip magjik që zgjati për sa Johan Krojf qëndroi në Amsterdam. Ajaksi ishte kampion i Evropës midis viteve 1971 dhe 1973. Edicioni i parë i Superkupës së Evropës (1973) kishte kampionë tulipanët nga Amsterdami. Nga dy Kupat Interkontinentale që ai mundi të luante, ai hoqi dorë nga dy dhe fitoi atë të vitit 1972 kundër Independientes. Ajaksi nuk u kthye në një finale të Kupës Europiane deri në vitin 1995.
BAJERNI I KAJZERIT (BEKENBAUER) – Bajerni mori përsipër të vazhdonte tripletën e Ajaksit, duke e bërë Mynihun kryeqytetin e Kupës së Kampioneve, të fituar nga Bajerni në vitet 1974, 1975 dhe 1976. Me Bekenbauer në krye, skuadra e Sep Maier, Shvarcenbek, Gerd Myler, Uli Hnes dhe Karl-Hainc Rumeniges nuk e fitoi kurrë Superkupën e Europës. Ata humbën ndaj Anderlehtit dhe Dinamos së Kievit, teksa ndeshja e vitit 1975 nuk u luajt pasi rivali ishte një ekip nga ana tjetër e Murit të Berlinit, Magdeburg. Nga tri Kupat Ndërkontinentale, Bajerni nuk fitoi të parën, ndeshja e 1975 nuk u mbajt pasi datat nuk ishin dakordësuar dhe ndeshja e 1976 u fitua kundër Kruzeiros (Brazil). Bajerni do të kthehej të fitonte Ligën e Kampioneve në vitin 2001.
DOMINIMI ANGLEZ – Gjashtë vjet radhazi përfundoi Kupa e Kampioneve të Europës në Angli falë Liverpulit (1977, 1978 dhe 1981), Notingam Forest (1979 dhe 1980) dhe Aston Vila (1982). Në të gjithë ato vite Kupa Interkontinentale shkoi në Amerikën e Jugut, përveç në vitin 1978… sepse nuk u luajt. Në Superkupë, çdo skuadër angleze kampione e Europës arriti të fitonte një. MILANI I SAKIT – Një pikë referimi, një model revolucionar. Ata ishin kampionë të Europës në 1989 dhe 1990, një skuadër që vazhdoi me Kapelon dhe Ligën e Kampionëve të vitit 1994. Ata fituan tre Superkupa dhe dy nga tre Kupat Ndërkontinentale. Tjetri, në vitin 1994, humbi kundër Sao Paulos. Milanit iu desh të priste deri në vitin 2003 për të sunduar sërish Europën.
BARCELONA E GUARDIOLËS – Në Champions-in e Rajkardit në vitin 2006, Barcelona nisi një seri suksesesh që do ta vazhdonin në vitin 2009 dhe 2011 (me Guardiolën në krye) dhe Luis Enriken në vitin 2015. Por Barça nuk mundi të fitonte dot dy Champions radhazi. Me Kupën e Botës për Klube si trashëgimtare e Kupës Interkontinentale, Barça fitoi tre nga katër që luajti. Ajo humbi edicionin e vitit 2006, kundër Internacional të Porto Alegres (Brazil). Atyre u shpëtoi edhe Superkupa e Europës e shkatërruar nga Sevilja 0-3, humbja më e madhe që nga koha kur finalja u kthye të luhej me një ndeshje të vetme.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co