Në të gjithë territorin e Shqipërisë janë 12 vatra aktive zjarri. Kjo u bë e ditur nga Arben Cara, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës, në rubrikën “Opinion” në News24.
Cara tha se janë shuar plotësisht 23 vatra zjarri, ndërsa e konsideroi si të vështirë vatrën në zonën e Pustecit.
Ai tha se edhe në Malin e Tomorrit ka një vatër aktive zjarri, ndërsa po punohet me çdo lloj mjeti për të vendosur nën kontroll edhe këtë vatër zjarri.
“Zjarri vijon të jetë aktiv, janë aktivizuar jo vetëm ekipet zjarrfikëse. Nuk mund të themi nëse do të preket Parku Kombëtar ose jo, pasi gjithçka varet nga fakti se era mund të ndihmojë zjarrin”, tha Cara. Ai u shpreh se ka një bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Agjensinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, jo vetëm përsa i takon vënies në dispozicion të helikopterëve kundër zjarreve, por edhe Forcat e Armatosura.
Ai tha se prioritet kanë qenë banesat dhe pronat e qytetarëve dhe jetët e tyre, dhe fatmirësisht në Shqipëri nuk kemi pasur raste të tilla.
“Forcat operacionale po bëjnë të pamundurën për të parandaluar situata të tilla”, tha Cara.
Ai tha se pothuajse çdo ditë ka persona të shoqëruar nga Policia e Shtetit lidhur me vatrat e zjarrit, por është e vështirë të provohet se ata janë autorë të zjarrvënies së qëllimshme.
Cara tha se shumica e vatrave të zjarrit janë nga dora e njeriut, me apo pa qëllim, ndërsa në raste sporadike, si ato në Lurë, vatrat e zjarrit u shkaktuan nga rrufetë.
Duke folur për dëmet më të mëdha natyrore, Cara tha se dëmi më i madh është në shkurre, ferra dhe bar në të gjithë territorin, por nuk mund të bëjmë një vlerësim të dëmit në kushtet e sotme.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co