Kandidati republikan Donald Trump muajin e kaluar njoftoi përzgjedhjen e Senatorit të Ohajos JD Vance si kandidat të republikanëve për nënpresident. Senatori Vance ka mbaruar fakultetin juridik në Universitetin Yale, ku ai takoi bashkëshorten e tij, Usha. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar, ajo është vajzë emigrantësh nga India, e cila së fundmi la punën e saj në një nga firmat e njohura ligjore në Uashington dhe Kaliforni.
38-vjeçarja Usha Vance tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë prezantimit të bashkëshortit të saj, JD Vance, si kandidat për nënpresident në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane.
“E takova JD-in në fakultetin juridik pak kohë pasi ai kishte mbaruar studimet në Universitetin shtetëror të Ohajos”, tha ajo.
Vajza e emigrantëve indianë, Usha Chilukuri lindi në Kaliforni dhe u rrit me traditat e fesë hindu. Ajo dhe JD Vance u martuan në një ceremoni ndërfetare në vitin 2014.
“Unë u rrita në San Diego në një komunitet të klasës së mesme, me dy prindër të dashur, të dy emigrantë nga India”, tha ajo.
Prindërit e Usha Vance janë akademikë. Halla e saj, profesore e fizikës në Indi, është krenare për arritjet e avokates Usha Vance.
“Unë jam shumë krenare për këtë, sepse nga familja ime është ngritur një intelektuale kaq e madhe”, thotë ajo.
Në biografinë e zyrës ligjore, ku punonte Usha Vance thuhet se ajo ka qenë e angazhuar në një studim mbi lirinë e medias në Universitetin Yale. Ajo gjithashtu ka punuar në një projekt mbi ndihmat për refugjatët irakianë. Usha Vance ka qenë praktikante në zyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, John Roberts dhe në zyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh kur ai ishte në Gjykatën e Apelit.
Anita McBride, e cila ka qenë shefe e personelit për zonjën e parë Laura Bush, thotë se njerëzit të cilët e njohin avokaten Usha Vance flasin shumë mirë për të.
“Shumë inteligjente, kolege e mirë, shkonte mirë me të gjithë dhe thjesht është një punëtore e palodhur dhe një person i këndshëm. Kjo është pozitive për njerëzit që mbajnë poste publike. Mendoj se kjo tregon diçka për karakterin e tyre, se ata pëlqehen nga njerëzit”, thotë ajo.
Statusi i avokates Usha Vance si vajzë me prindër emigrantë mund të ndihmojë votuesit nga grupet e diskriminuara ta shohin bashkëshortin e saj në një dritë të re.
“Ai u përshtat me dietën time vegjetariane dhe mësoi se si të gatuante ushqime indiane për nënën time“, thotë ajo./voa
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co