Lideri opozitar rus, Alexei Navalny, vdiq në rrethana misterioze në një burg të largët në Arktik, në shkurt 2024.
Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus Alexei Navalny, thotë se burri i saj i ndjerë është dashur të ishte në mesin e atyre që u liruan nga burgjet ruse javën e kaluar gjatë një këmbimi të të burgosurve mes Moskës dhe Perëndimit.
Në një deklaratë të publikuar në YouTube më 8 gusht, Navalnaya thotë se ajo dhe bashkëpunëtorët e Navalnyt kishin thënë pas vdekjes së tij se një këmbim i të burgosure, që do ta përfshinte bashkëshortin e saj, ishte në fazën finale, para se ai të vdiste në një burg të Arktikut në shkurt.
“Bashkëshorti im, Alexei Navalny, është dashur të ishte në bordin e avionit që fluturoi së pari në Ankara dhe pastaj në Këln. Ne e thamë këtë para gjysmë viti, menjëherë pasi ai u vra në burgun korrektues në Harp. Ai ka qenë njeriu që duhej të këmbehej për vrasësin e FSB-së [Vadim] Krasikov, i cili po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Gjermani”, tha Navalnaya.
“Vetëm mendimi që Navalny mund të lirohej dukej i tmerrshëm për [presidentin Vladimir] Putin, prandaj ai e vrau atë”, tha Navalnaya, duke shtuar se, megjithatë, ajo ndihet e lumtur që shumë njerëz të burgosur padrejtësisht u liruan javën e kaluar.
“U bë kohë e gjatë që nuk e ndieja një lehtësim dhe lumturi të tillë, por, njëkohësisht, ndjeva edhe hidhërim”, tha ajo.
Ajo përmendi që shumë kritikë të tjerë të Putinit mbesin në burgjet ruse, përfshirë Aleksei Gorinov; Daniel Kholodny; avokatët e Navalnyt Vadim Kobzev, Igor Sergunin, Antonina Favorskaya dhe Aleksei Liptser; sociologu Boris Kagarlitsky; bashkëkryetari i lëvizjes Golos (Zëri), Grigory Melkonyants; dhe të burgosur të tjerë politikë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co