Ka përfunduar operacioni i Policisë së Kosovës, në veri të vendit, ku u kontrolluan disa objekte të Postës së Serbisë.
Si rezultat janë mbyllur nëntë nga to, bëri të ditur zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për Klan Kosovën.
“Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë, fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, u shpreh ai.
“Nuk kemi pasur persona të arrestuar, në fakt në Leshak gjatë mbylljes së një lokali, dy persona të dehur kanë ardhur afër policisë, janë shoqëruar në stacion të policisë”, shtoi Elshani.
Ai tha se nisja e operacionit erdhi pas informacionit dhe kërkesës që kanë pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ku aty u njoftuan për zhvillimin e disa aktiviteteve ekonomike të disa bizneseve të palicensuara dhe të paregjistruara në veriun e vendit.
“Në fakt këto ka qenë në të gjithë Kosovën por në veri të vendit ne jemi autoritet, dhe kemi vepruar”, theksoi Elshani.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co