NGA BEN ANDONI
Për t’u ndërgjegjësuar për çfarë, do t’i përgjigjej kësaj pyetjeje një optimist i gjendjes në Shqipëri! Që po largohet krahu i punës, që ka ndryshuar struktura e fashave shoqërore, që është rritur kërkesa për teknikët dhe ata nuk gjenden, për pensionet e ardhshme, për konsumatorët që po pakësohen, për shumë gjëra… por që mbeten pa përgjigje. INSTAT-i “e lehtësoi” punën, pasi për pjesën më të madhe të statistikave nuk i publikoi të krahasueshme me Censin e 2011, duke e vështirësuar interpretimin e shifrave (Monitor, 2024). Dhe, kuptohet sfida është e tillë, që nuk dihet më as sesa është popullsia në qytet dhe sesa ajo në zonat rurale! Akoma më e madhe është problematika që lidhet me sipërmarrjet, se ku do gjejnë punëtorët e të nesërmes, ndërkohë që politika sikur të mos ndodhë asgjë, na sugjeron shifra gati absurde.
Rama nga 800.000 votues pro tij (lexo PS) kërkoi 1.000.000 syresh, në një Shqipëri të rrudhur frikshëm, ku gjëja që bën më pak përshtypje është politika, ndërkohë që paradoksalisht për një komunitet të tërë mbetet ende politika si ushqimi kryesor. Veçse trajtimi që u bëri Rama njerëzve të tij në Kongresin e fundit dhe diferenca e jashtëzakonshme me njerëzit që kanë “peshë” tregoi se edhe kjo udhë ka shumë firo. E para te PS lidhet me trajtimin e njerëzve (është i disati aktivitet, që një pjesë e ministrave të tij shkojnë në mbledhje si ministra dhe kthehen në…këmbësorë), e dyta te PD është se politika alla Berisha po krijon një kastë njerëzish, që nuk shikojnë më problematikat, por kauzat pa rrugëdalje thjesht për t’u identifikuar. Është shqetësuese, që për hir të opozitës për opozitë, një pjesë kalojnë dhe mbi caqe morale, kurse të tjerë mbi kauza kombëtare (siç ndodhi me fushatën në Himarë), thjesht të kenë emrin në listën, që konsiderohet fituese. Aman, pjesa më e madhe nuk po kuptojnë se njerëzit janë të lodhur dhe se rrugëgjetja e tyre më e sigurt është largimi nga vendi. Mbi të gjitha, publiku ka kuptuar se vota nuk është më ajo që e bën njeriun të ndihet krenar, sepse tek e fundit ajo shpërdorohet nga fuqia e kryetarëve në parlament. Ose si e thoshte më thjeshtë anarkistja e njohur lituane Emma Goldman: “Nëse votimi do të ndryshonte diçka, ata do ta bënin edhe atë të paligjshëm”.
Po a e ka të qartë qeveria aktuale këtë gjendje?! Duket se është larg perceptimit real, pasi lajmet kryesore lidhen me milionat e individëve të huaj të turizmit dhe kullat e frikshme, përreth qendrës së kryeqytetit, kurse opozita merret veç me pasojat dhe drejt me korrupsionin e frikshëm (dhe, bën mirë), por jo modelin për të dalë nga kjo gjendje. Rezultati i votës tashmë kuptohet se është problematik me monopolin e PS dhe PD-së, kurse reagimi ndaj censit që duhet t’i kthjellonte palët mungon krejtësisht, përveç minoriteteve. Veçse në votim, politikanët do të marrin të vetmen përgjigje të duhur që do vijë nga censi me listat e boshatisura dhe me gjasë bojkotin normal.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co