Tenisti serb Novak Xhokoviç, fitoi sot pasdite medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Në finalen e luajtur në fushat me dhe të Roland Garros, ai mundi 2-0 (7-6, 7-6) në finale spanjollin Karlos Alkaraz, në një ndeshje që zgjati gati tri orë.
Ky ishte triumfi i parë në Lojërat Olimpike për serbin, që u kurorëzua me medaljen e artë. Një ndeshje spektakolare, me të dy tenistët që dueluan fort në të dyja setet, të vendosura në “tie break”, aty ku serbi u tregua më i saktë dhe i kujdesshëm, duke e merituar fitoren dhe var në qafë medaljen e artë.
Xhokoviç, fitues i 24 grand slam në karrierën e tij, arrin të fitojë edhe “trofeun” e vetëm që i mungonte, medaljen e artë olimpike. Dhe e bën këtë gjë duke munduar një nga tenistët më të mirë në botë, duke korrur një triumf të merituar.
Serbi arrin ta bëjë këtë gjë në moshën 37-vjeçare, në Olimpiadën e tij të pestë, duke realizuar objektivin e madh që kishte këtë sezon. Alkaraz zhgënjeu në momentet vendimtare dhe mori medaljen e argjendtë dhe italiani Lorenzo Museti atë të bronztë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co