Mban numrin 9 mbi fanellën kuqezi. Është një sulmuese tipike rrace. E fortë, e vendosur, e paparashikuar kur ka topin në këmbët e saj. Bëhet fjalë për Klaudia Borcin, 19-vjeçaren që ka kaluar ekipet zinxhir të moshave kuqezi dhe luan me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës. Luan si pykë dhe i pëlqen të shënojë gola.
Klaudia ka 10 vite që luan futboll. Në CV-në e futbollit të saj ka dy ekipe: Shpresa, ekipi i djemve ku luajti dhe mësoi futbollin për tre vjet dhe Vllaznia, skuadra ku perfeksionoi futbollin. E bekuar nga familja dhe shoqëria e saj që e ka mbështetur në çdo hap, Klaudja ka bërë mjaft mirë deri më tani në futboll. Vitin e kaluar u shpall edhe “Talentja e vitit 2023”, një çmim që e motivon shumë për ëndrrat që ka për të ardhmen.
Ka luajtur me ekipin kombëtar U-17. Tek ekipi kombëtar U-19 ishte e besuara e trajnerit Kreshnik Krepi. Kur flet për kombëtaren, Klaudia tregon në intervistën e saj për rubrikën “Talenti Shqiptar” se ndihet krenare që luan për ngjyrat kuqezi dhe përfaqëson kombin shqiptar. I pëlqen grumbullimet dhe ndeshjet me kombëtaret, por më shumë i pëlqejnë fitoret.
Më poshtë, lexoni intervistën e plotë me sulmuesen e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, Klaudia Borci.
-Çfarë të ka shtyrë të përfshiheshe në botën e futbollit? Sa vjeçe ishe kur nise të luaje?
– Vëllai im ka qenë personi i kontaktit le të them me futbollin. Për të hyrë në këtë botë kaq të bukur ka qenë pikërisht vëllai im ai i cili më merrte kudo me vete për të luajtur futboll. Kam qenë 9 vjeçe kur jam regjistruar për herë të parë në një ekip djemsh pasi më parë sigurisht luaja në lagje me shokët e lagjes, me vëllain. Më pas nisa të ndjek ekipin e Vllaznisë së vajzave, çdo ndeshje të tyre. Motivohesha nga fitoret e tyre, nga loja e bukur.
-Na trego pak për hapat e tua në karrierë Borci, si vazhdoi gjithçka ? Çfarë ndodhi pasi u regjistrove në këtë ekip ?
– Siç e thashë, e kam nisur futbollin në lagje, duke luajtur me shokët dhe me vëllain tim. Në fakt, mësuesi im i fiskulturës më pa një ditë teksa luaja dhe pëlqeu mënyrën se si unë luaja futboll. Aty them se nisi gjithçka. Më dha dorën dhe më afroi tek ekipi “Shpresa”, aty ku luajta për gati tre vite. Në këtë skuadër mësova gjithçka, pasi më parë luaja futboll amator. Pozicionimi, gjuajtja e saktë e topit, penalltia, rivënia fundore… çdo gjë rreth futbollit e mësova këtu. Dhe më pas i perfeksionova tek ekipi im i ëndrrave, Vllaznia, skuadër për të cilën luaj edhe sot e kësaj dite.
– Sa të vështirë është për ty të merresh edhe me futbollin, edhe me shkollën, edhe të dalësh me shoqërinë. Si e bën këtë ndarjen? Ke ‘hequr dorë’ nga shkolla për futbollin?
– Sigurisht që është e vështirë, por unë jam munduar dhe mundohem që t’ia dal me të treja. Të them të drejtën, kohën më të madhe ia kushtoj futbollin, pavarësisht se edhe shkolla është shumë kryesore dhe mundohem që t’i jap vëmendjen maksimale. Edhe shoqëria ka kohën e saj dhe dal me to sa herë kam mundësi. Fatmirësisht me shoqet e shokët takohem në shkollë, kam shoqëri në ekipin tim të futbollit. Por, nëse do, ia del t’i menaxhosh të dyja. Edhe ndjekjen e mësimeve, edhe ndjekjen e seancave stërvitore.
-Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ty si ka qenë? Kush të ka mbështetur më shumë? Familja? Shoqëria? Kush ka qenë më shumë skeptik në familje, mami apo babi?
– Nuk kam pasur kurrë pengesa. Përkundrazi, vetëm mbështetje maksimale, si nga familja ashtu edhe nga shoqëria ime. Për mua e them me plot gojën që ka qenë shumë e lehtë. Familja më ka lënë dorë të lirë të zgjidhja vetë rrugën që unë dëshiroja dhe i jam falënderuese që kanë besuar tek unë.
-Në Mbrëmjen Gala “Më të mirët 2023“ të organizuar nga FSHF, more çmimin ‘Talentja e Vitit 2023’. E lumtur? Si e prite këtë çmim dhe çfarë do të thotë për ty të fitosh një çmim të tillë?
– Pafundësisht e lumtur. Fitova çmimin e talentit të vitit në futbollin e vajzave në të gjithë Shqipërinë. U shpalla më e mira. Kjo më motivon shumë që të jap gjithçka për Shqipërinë dhe për ekipin e Vllaznisë.
-Ti je pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ty? Çfarë emocionesh të jep të luash për Shqipërinë?
Nuk di nëse do të ta shpjegoj si duhet me fjalë, pasi realisht sa herë marr ftesë, emocionet janë po aq të forta dhe të bukura sa herën e parë. Mezi i pres grumbullimet dhe ndeshjet me Kombëtaren. Është ëndrra e çdo vajze dhe çdo djali që luan futboll të veshë njëherë fanellën kuqezi. Unë kam pasur fatin ta vesh disa herë, të luaj dhe të përfaqësoj Shqipërinë në ndeshje miqësore e zyrtare. Emocionet janë të bukura, të veçanta. Jam krenare që luaj për këto ngjyra, për këtë komb.
– Si e more ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë? Si e mban mend herën e parë te Kombëtarja? Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
Ftesa ime e parë ka ardhur nga stafi i ekipit kombëtar U-17, në kuadër të një turneu zyrtar për kualifikuese europiani për këtë moshë. Ka qenë një moment shumë i veçantë kur kam shkuar për herë të parë në grumbullim. Të gjitha vajzat më kanë pritur si të isha duke shkuar në shtëpinë time. Stafi shumë i ngrohtë. Kënaqesha kur stërvitesha, gjatë grumbullimeve me ekipin dhe ndeshjeve, por më shumë kur shënoja gola dhe fitonim përballjet. Jam ndjerë sikur të isha në një shtëpi të madhe me motrat e mia dhe jo në një grumbullim ekipi.
-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Mos u ndikoni nga fjalët e të tjerëve. Thjesht shijojeni momentin dhe luani!
– Cilat jane synimet per te ardhmen?
– Synimet e mia lidhen sigurisht me futbollin. Dua sërish grupet e UEFA Champions League për vajza dhe ekipin Kombëtar A.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co