Misteri ka pushtuar rastin e një gruaje amerikane e cila është gjetur e lidhur me zinxhirë në një pemë duke “ulëritur” në një pyll në Maharashtra.
50-vjeçarja Lalita Kayi u zbulua një javë më parë në pyjet e dendura në distriktin Sindhudurg pasi thirrjet e saj për ndihmë u dëgjuan nga barinjtë. Ata lajmëruan policinë, që erdhi në ndihmë dhe e shpëtoi.
Kayi, e cila dukej shumë e dobësuar, u dërgua në spital. Shëndeti fizik i saj është përmirësuar dhe të premten është dërguar në spital psikiatrik për trajtim të mëtejmë, raportoi BBC.
Në deklaratën dhënë policisë ajo ka pretenduar se bashkëshorti i saj “e lidhi dhe e la në pyll të vdiste pa ushqim e ujë”.
Policia tani po e kërkon bashkëshortin e saj. Megjithatë, shtatë ditë pasi Kayi u shpëtua, ende nuk është e qartë se kush është ajo, si përfundoi në pyll, kush e lidhi për peme dhe pse.
Pandurang Gawkar, një prej barinjve, ka treguar se ai kishte nxjerrë lopët në kullotë kur kishte dëgjuar “një grua që bërtiste me zë të lartë”.
“Zëri vinte nga pylli. Kur shkova, pash se njëra këmbë e saj ishte e lidhur për një pemë. Ajo po bërtiste si kafshë. Thirra fshatarët e tjerë dhe policinë”, ka treguar ai.
Policia ka thënë se i gjetën një kopje të pasaportës që thoshte se ajo është shtetase amerikane, si dhe dokumentin identifikues të përdorur nga indianët ku shkruante adresa e saj. Po ashtu, ka treguar se me vete i gjetën një telefon, tablet dhe disa para, gjë që bëri që ta hiqnin vjedhjen si motiv të mundshëm.
Sipas policisë, Kayi ishte balerinë dhe praktikuese e jogës në Amerikë dhe se u zhvendos në Indi 10 vjet më parë për ta studiuar jogën në Tamil Nadu. Aty kishte takuar bashkëshortin, kanë raportuar mediat lokale.
Por, nuk është e qartë se kur apo si përfundoi në pyll.
Ajo i ka thënë policisë se bashkëshorti e lidhi dhe se kishte mbetur pa ushqim e ujë për 40 ditë. ajo pretendoi se ai i kishte dhënë edhe një ilaç që ia kishte bllokuar nofullën duke ia bërë të pamundur të pinte ujë. Policia ka thënë se nuk ka mundur t’i verifikojë këto pretendime dhe se nuk ka gjasa që dikush të mbijetojë pa ushqim e ujë për aq gjatë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co