Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj. Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të praktikave ndërkombëtare.
Kupina tregoi për Telegrafin se veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident. Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit. “Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” -tha Kupina.
Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shqetësim ka mësuar rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani”, thuhet në reagim. MPJD njofton se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informacioneve dhe që dje ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. “MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”, -thuhet në njoftim.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co