Ministri i Jashtëm Igli Hasani, ka mbajtur një konferencë të përbashkët me homologun e tij boshnjak Elmedin Konakoviç.
Hasani u shpreh se potenciali i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe është ende i pashfrytëzuar.
Ai ka folur edhe në lidhje me integrimin europian, të cilën e quajti një dinamikë pozitive për rajonin.
Ministri Hasani shtoi se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjes, ndërsa kujtoi se Shqipëria është bashkë-sponsorizuese e rezolutës së OKB për gjenocidin në Srebrenicë.
Fjala e plotë:
Pas takimeve të njëpasnjëshme që kemi pasur së fundi, në kontekste të ndryshme ndërkombëtare dhe tryeza europiane, ishte kënaqësi të mirëprisja sot në Tiranë, në një vizitë zyrtare, Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakovic, të cilit i shpreha dëshirën që kontaktet dhe puna jonë me partnerët boshnjakë të mos jetë gjë e rrallë dhe as të mos i lihet rastësisë.
Për këtë, të jeni i sigurt, i dashur Dino, se mikpritja jonë nuk do të mungojë asnjëherë.
Me Ministrin Konaković, zhvilluam bisedime të sinqerta dhe të frytshme, shqyrtuam dhe vlerësuam ecurinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, dhe konstatuam se, potenciali i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe është ende i pashfrytëzuar siç duhet. E pra, vendosëm disa piketa të punës sonë të mëtejshme dhe diskutuam drejtimet për hedhjen e shinave të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh.
Vullneti ynë është që të ecet sa më shumë përpara. Rihapja e ambasadave respektive në të dy kryeqytetet tona synon pikërisht realizimin në praktikë të këtij vullneti. Është një hap që tregon vëmendjen e ndërsjellë dhe dëshirën për t’i ngritur në një nivel të ri dhe për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet midis vëndeve tona, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Proçesi i integrimit europian, ishte një tjetër kapitull i rëndësishëm i bisedimeve tona. Shpresojmë se jemi brenda një dinamike pozitive të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian. Shqipëria vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Bosnjë-Hercegovinës dhe hapat e hedhur në këtë drejtim, të cilat së fundi kanë dhënë rezultat konkret në procesin e integrimit të Bosnjë-Hercegovinës. Statusi i vendit kandidat dhe vendimi dhe rekomandimi i Komisionit për çeljen e negociatave, është jo vetëm një stimul i fuqishëm, por edhe konfirmim i patjetërsueshëm në rrugën e afrimit me Bashkimin Europian. I shpreha kolegut Konaković vullnetin dhe gatishmërinë për të mbështetur edhe më tej avancimin e Bosnjë-Hercegovinës në rrugën e saj drejt BE-së përmes shkëmbimit të përvojës dhe asistencës teknike.
Kjo perspektivë që kemi zgjedhur, përveçse ndihmon që të kuptojmë më mirë njeri-tjetrin, ajo na ndihmon edhe për të na afruar më shumë. Dhe në këtë kontekst, integrimi ekonomik rajonal, përmirësimi i ndërlidhjes dhe tregtisë mes nesh, si edhe me Bashkimin Europian, luajnë një rol të veçantë shtytës dhe mbeten prioritet i rëndësishëm që sjell përfitime të qarta dhe të dobishme për ne dhe qytetarët tanë.
Gjatë bisedës që pata me kolegun Konaković, konstatuam sërish se Shqipëria dhe Bosnjë – Hercegovina ndajnë një qasje të njëjtë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal, dhe në këtë kuadër, i shpreha mikut tonë boshnjak kërkesën për një rivlerёsim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale, apo edhe për lehtësimin e disa problematikave që kanë të bëjnë me shkëmbimet ndërnjerëzore Bosnje-Hercegovine-Kosovë. Si vende fqinje në rajon, por edhe si realitete gjeopolitike të shekullit të ri në funksion të paqes dhe stabilitetit në hapësirën tonë të përbashkët, por edhe në një kontekst më të gjerë, lypset që Kosova të këqyret në një optikë bashkëkohore, realiste e pragmatike.
Prekëm edhe çështjet shqetësuese të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe më gjerë, në Ukrainë dhe në Gaza. Konstatuam se pikëpamjet tona për rreziqet dhe përballimin e tyre në Ballkanin Perëndimor janë të njëjta, ose të përafrueshme në mënyrë të konsiderueshme me palën boshnjake.
Pata rastin t’i përsëris kolegut dhe mikut tim boshnjak mbështetjen e plotë për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjë Hercegovinës.
Dhe së fundi, në muajin maj, Shqipëria mbështeti dhe bashkë-sponsorizoi rezolutën OKB-së për “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebenicës në 1995”. Mesazhi ynë është shumë i qartë, një ngjarje e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë më.
Ju faleminderit! Ministër Konaković fjala është për ju!
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co