Kampionët e Egnatias mbeten në avion, të dielën miqësorja me Napolin

kampionet e egnatias mbeten ne avion te dielen miqesorja me napolin





































Pas takimit të parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Konferencës, kampionët janë nisur drejt Shqipërisë, ku kanë mbërritur dje rreth mesditës. Sigurisht, ka qenë një udhëtim i gjatë dhe skuadra është lënë pushim nga trajneri Edlir Tetova.

egnatia

Rrogozhinasit kanë programuar që sot në mëngjes të kryejnë një seancë stërvitore, sepse më pas të gjithë duhet të bëhen gati dhe do të nisen drejt Rinasit për të marrë avionin për të fluturuar drejt Italisë. Më 20 korrik kampionët e Shqipërisë do të luajnë një miqësore luksi me Napolin. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Patini”, në Kastel di Sangro, duke nisur nga ora 20:00.

Të hënën në mëngjes pastaj Egnatia do të rikthehet në Shqipëri për të vijuar të martën stërvitjen në kompleksin sportiv në Lekaj për ndeshjen e kthimit me Vikingurin. Kohë shumë e limituar për trajnerin Tetova, pasi skuadra do të jenë më shumë në avion se në tokë këto ditë. Të mërkurën është programuar që rrogozhinasit të udhëtojnë për në Shkodër, ku do të kryejnë edhe përgatitjet e fundit për duelin e kthimit me Vikingurin, që luhet ditën e enjte.

MIQËSORJA – Sa i takon miqësores me Napolin, që kundër kampionëve të Shqipërisë zhvillon testin e parë dhe interesi është mjaft i madh nga tifozët, trajneri Tetova pritet të mos i konsumojë disa titullarë më peshë. Ai ka një grup të limituar për shkak të largimeve të ditëve të fundit dhe nuk mund të rrezikojë me lojtarët e rëndësishëm, pasi ndonjëri prej tyre mund të dëmtohet. Gjasat janë që në fushë të zbresë një formacion miks.

BILETAT – Biletat për këtë ndeshje kanë dalë në shitje prej ditësh dhe në stadium pritet një numër i lartë tifozësh shqiptarë, ashtu si një vit më parë, kur Egnatia luajti miqësoren kundër Interit. Çmimi i biletave për këtë ndeshje, sipas njoftimit të klubit italian, është më i ulët për tifozët nën 14 vjeç. Një vend në tribunë kushton 40 euro, kurse për tifozët nën 14 vjeç 25 euro. Në sektorët e tjerë biletat kushtojnë 25 euro dhe për tifozët nën 14 vjeç 14 euro. Pas portave biletat kushtojnë 14 dhe 10 euro.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →