Një incident ka ndodhur në hapjen e lojërave Olimpike mbrëmjen e djeshme, ku atletët e Koresë së Jugut u prezantuan gabimisht si Koreja e Veriut në ceremoninë e hapjes në Paris.
Ndërsa skuadra e emocionuar lundronte poshtë lumit Seina, si spikerët francezë ashtu edhe ata anglezë i prezantuan ata si “Republika Popullore Demokratike e Koresë” – emri zyrtar i Koresë së Veriut.
Organizatorët olimpikë kanë reaguar menjëherë duke kërkuar thellësisht ndjesë për gabimin.
Dy Koretë janë ndarë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, me tensionet mes shteteve që janë përshkallëzuar më tej kohët e fundit.
Ministria e sportit të Koresë së Jugut tha se planifikonte të paraqiste një “ankesë të fortë me Francën në nivel qeveritar” për këtë gafë të turpshme.
Në një deklaratë, ministria shprehu “keqardhjen për njoftimin … ku delegacioni i Koresë së Jugut u prezantua si ekipi i Koresë së Veriut”.
Deklarata shtoi se zëvendësministri i dytë i sportit, Jang Mi-ran, një kampion olimpik 2008 në peshëngritje, kishte kërkuar një takim me presidentin e Komitetit Olimpik, Thomas Bach.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) kërkoi falje në llogarinë e tij zyrtare në gjuhën koreane në “X” , duke thënë: “Dëshirojmë të kërkojmë ndjesë të thellë për gabimin që ndodhi në prezantimin e delegacionit të Koresë së Jugut gjatë ceremonisë së hapjes.”
Koreja e Jugut, e njohur zyrtarisht si Republika e Koresë, ka 143 atletë në ekipin e saj olimpik këtë vit, duke konkurruar në 21 sporte. Koreja e Veriut ka dërguar 16 atletë. Kjo është hera e parë që ajo ka konkurruar në lojëra që nga Rio 2016.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co