NGA XHEVAT MUSTAFA
“…shumë mjekë në Shqipëri kanë bërë me zemër apo me thembër bekimin e Hipokratit? Mos vallë këta, me të marrë diplomat e mjekut e me t’i futur në sirtarë, kanë bërë me vete e me zemër bekimin e hipokritit, xhebrailit, katilit…?”
Në kuadër të debatit të moçëm e të sotshëm për korrupsionin masiv në mjekësi, si kudo në Shqipëri, ndezur ndjeshëm pas skandalit të fund qershorit 2024 të mjekut Edmond Gashi me shokë e shoqe, që këto ditë janë “pacientë” në SPAK, kam frikë të shprehem hapur. Kam shokë, miq e të njohur plot mjekë! Një ditë, qoftë sa më e largët dhe më e mira, mos ardhtë kurrë, mund të bie në duar e ndonjërit prej tyre ose krejt të panjohur… Mund të mos m’i harrojë kritikat që u kam bërë në plot opinione të publikuar në gazeta e në “Facebook” dhe mund të hakmerret, duke më lënë gjatë pa më parë me sy e pa prek me dorë, deri sa të fikem nga një “vdekje natyrale e pashmangshme”, në ndonjë dhomë a korridor pavioni…, nëse ndonjëri nga familja ime nuk kujtohet t’u fusë “fshehurazi” në xhep një zarf të rëndë… Po ju përcjell fillimisht një ngjarje të përjetuar shumë vite më parë në Zvicër… Kur u operua gruaja ime për tiroide në një spital të Bernës, në Zvicër, mjeku që kreu operacionin nuk pranoi nga unë as edhe një pako të vogël llokumesh, që mezi e gjeta…!
htë nervozizmi… – Si shenjë mirënjohjeje, kështu e kemi ne shqiptarët… – iu përgjigja.
– E keni gabim! – më tha. Unë dhe stafi bëmë detyrën, për të cilën paguhemi shumë mirë! Pas pak e pyeta edhe sa duhej të paguanim ne si familje për operacionin dhe shërbimin…?
-Asnjë frang – mu përgjigj mjeku. Këtu gjithçka është falas!
Sa për dijeni, në atë kohë në Zvicër përgjithësisht mjekët e arsimtarët paguheshin më shumë se deputetët! U ndamë si miq, duke marrë prej atij mjeku zviceran edhe një mësim të mirë si dhe një këshillë e përvojë të vlefshme! Afërisht në të njëjtën kohë, u operuan në QSUT në Tiranë, motra e gruas sime dhe vajza e xhaxhait tim. Bashkëshortëve të tyre iu desh të siguronin dhe të paguanin nga rreth 40.000 mijë lekë për kirurgët që u kishin kryer operacionet. Për më tepër e më keq, kirurgu që operoi vajzën e xhaxhait tim, ishte edhe mik me mua dhe e dinte shumë mirë se pas këtij operacioni ajo kishte vetëm 6-9 muaj jetë në shtrat spitali më shumë…!? Prandaj iu vërsula rëndë: – Kur e dije që do të vdiste shpejt, përse e operove dhe i more një shumë aq të madhe si bakshish…?!
– Meqenëse ishte si motra jote i mora 10 mijë lekë më pak… – m’u përgjigj duke më zgërdhirë dhe hedhur krahun në qafë. Ia largova krahun me forcë e përbuzje dhe me vendimin e prerë për ta prishur përgjithmonë miqësinë me këtë mjek-kasap-matrapaz të pashpirt, pronar i një klinike private në Tiranë e një tjetre jashtë shtetit, në një vend tjetër…! Prandaj, ndjeva kënaqësi kur mora vesh nga mediat se pas rreth 2 vitesh e kishte gjetur nga Zoti e nga mallkimet e jo pak viktimave të tij, duke u bërë “vizitor i shpeshtë” në një zyrë hetuesie me akuzën për shpërdorim detyre (fatura të larta korruptive për operacione…). Në mbështetje të këtij mesazhi shumë shprehës nga Zvicra, po shtoj edhe një fakt tjetër. Vajza afro 10-vjeçare dhe djali 6- vjeçar i djalit tim në Gjermani, kanë lindur në një maternitet publik, shtetëror, pa paguar asnjë euro, as në formën e një bonboneje dhe çokollate… Kurse këtu tek ne, në maternitete private për lindjen dhe një qëndrim 2-3 ditë, duhet të paguash rreth 1.200- 1.400 euro. Pak më pak, rreth 400-600 euro shkojnë edhe ryshfetet në maternitete shtetërore, ku për propagandë dhe në fjalime kryeministrore e ministrore lindja dhe shërbimi janë falas! Një fakt fare i freskët nga Gjermania. Një pensionist polako-gjerman, me pension mujor rreth 1500 euro, me birin e të cilit kemi lidhje familjare, pas një qëndrimi e mjekimi rreth 6-mujor në spital, mori dy fatura. E para ishte për shpenzimet totale që ishin bërë për atë, në rreth 400.000 euro. Fatura e dytë, në 270 euro ishte për shpenzimet që duhej të paguanin ata si familje…
Këtu tek ne, disa mjekë, me 2-4 operacione në ditë apo çdo 2 ditë, me 400-1.000 euro secilin si ryshfet apo korrupsion, mund të fitojnë edhe 20 mijë euro në muaj, pra më shumë edhe se mjeku i pakorruptuar zviceran… Edhe kushtet e punës dhe aparaturat nuk i kanë aq të këqija, sa thonë disa prej tyre. Një tregues tjetër i mungesës së sinqeritetit dhe i mbingarkesës së korrupsionit prej tyre. Jo pak nga mjekët tanë kanë vila 2-3 katesh në qytete dhe plazhe, klinika mjekësore në Shqipëri e në vende të Perëndimit, laboratorë, farmaci private, vetura luksoze, depozita të mëdha bankare… Sipas meje, këta janë edhe viktima, edhe abuzues e shfrytëzues të sistemit, të përmbytur nga korrupsioni nga dyshemeje fundore deri në majë të piramidës qeverisëse dhe shtetërore! Për më keq, ashtu si plot politikanë, pushtetarë, qeveritarë nëpër ministri e bashki…; zyrtarë të lartë nëpër Drejtori të Përgjithshme, Agjenci Kontrolli; gjyqtarë, prokurorë, noterë, drejtues në dogana, tatime, hipoteka e kadastra; krye e komisarë policie…, individualisht ose në “grupe” a “kope”, janë tej pasuruar! Nënkuptohet, duke vjedh hapur ose “me lezet”, edhe më troç, duke rrënuar apo “vrarë” edhe financiarisht shumicën e popullit, me paga e pensione allashqiptarçe e ndër më të varfrit jo vetëm në Evropë!? Për ilustrim apo objektivitet, për vërtetësi më të madhe po shtoj një fragment nga letra shkruar në gusht 2023 e nënës së mirë, mësueses së përkushtuar dhe me kërkesa, aktivistes shoqërore, mikes sime të mrekullueshme, Ina Kasimati, që iku nga kjo jetë më 23 mars 2024. Bie lehtësisht në sy se kjo letër për ferrin që kishte përjetuar në Spitalin Onkologjik në Tiranë, është shkruar me dëshirën e sinqertë e të mirë për të ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e QSUT, të Onkologjikut…, për t’i ngritur sa më shpejt të jetë e mundur edhe spitalet e Shqipërisë, pas 80 viteve, në standardet e spitaleve në Itali, Francë, Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Suedi, Norvegji, Britaninë e Madhe, Irlandë, Islandë, Kanada, SHBA…!
Pra, si në spitalet e vendeve të Perëndimit kapitalist, ku vërtetë dhe përjetueshëm “Njeriu është kapitali më i çmuar”, ndryshe nga sa e si shkruhet e thuhet në parulla, slogane, fjalime… në vendet e Lindjes komunisto-socialiste! “…Spitali onkologjik për mua ishte kthyer në një tmerr që te dera e hyrjes… Kur u diagnostikova me kancer gjiri para 4 vitesh, operacionin e bëra tek spitali onkologjik në QSUT. Jam operuar (unë dhe shumë pacientë) në një krevat me tre këmbë dhe mu hoqën të gjitha limfonodulat pasi kështu ishte aparatura. Më pas shefja e terapisë, dr.Dhurata nuk më dha terapinë sipas protokollit dhe vetëm kur shkova në Itali për vizitë, e mësova këtë gjë. Kur u ktheva dhe ia thash dr.Dhuratës, ajo më tregoi listën e pacientëve që prisnin prej disa muajsh të merrnin Zoladexin… Para se të nisesha në Francë, falë mbështetjes të shqiptarëve dhe jo të shtetit, unë prisja përgjigjen e biopsisë, por nuk e mora, pasi në spital mungonin kitet… Ndërkohë në ato korridore spitali kam takuar familjarë të pacientëve, të shqetësuar për mungesë të ilaçeve, kimioterapisë… Për të mos folur për skanerin që ngelet si një gjë e rrallë që të bëhet dhe jo si një procedurë rutinë për të të ndjekur në ecurinë e trajtimit mjekësor, apo analizat, ilaçet…
Një pacient që derdh sigurimet shëndetësore nuk ka pse t’i shkruajë drejtorit, ministrit, kryeministrit… Është turp! Në cilin vend të Europës ndodh kjo? Shërbimi shëndetësor duhet të jetë një normalitet nëse trajtohesh/operohesh në spitalin publik dhe nëse nuk bëhet aty, skema e sigurimeve shëndetësore e merr përsipër mbështetjen e pagesës për pacientin…”. Për të mos lënë shkas të më kundërvihen për nxirje tërësore të shëndetësisë shqiptare, theksoj me bindje se korrupsioni lulëzon apo “mbretëron” në shumicën e pavijoneve, reparteve, sallave, dhomave… në spitale shtetërore, por jo në ambulanca qytetase, lagjesh dhe në klinika të urgjencës. Në këto, përgjithësisht bien në sy një përkujdesje e mirë nga personeli dhe ambiente e kushte pune të “harruara” prej shumë vitesh për rikonstruksion, qoftë edhe të sipërfaqshëm…!
Jam i bindur se shumë të tjerë kanë plot raste edhe më të freskët e më shprehës për kontrastin e thellë “oqeanik” mes shërbimit mjekësor “falas” në Shqipëri e falas në vendet Perëndimore ku jetojnë e punojnë! Kështu mund të ndihmohemi të marrim një përgjigje sa më të saktë për pyetjet që kemi shumë vite që i bëjmë: shumë mjekë në Shqipëri kanë bërë me zemër apo me thembër bekimin e Hipokratit? Mos vallë këta, me të marrë diplomat e mjekut e me t’i futur në sirtarë, kanë bërë me vete e me zemër bekimin e hipokritit, xhebrailit, katilit…? Për këta njerëzit, pacientët janë njerëz të gjallë, familjarë, qytetarë, taksapagues… apo thjesht shifra, zarfe, “objekte e mundësi të arta” për t’u shfrytëzuar për pasurim sa më të madh individual e familjar…? Pra, mjekësia falas në Shqipërinë e këtyre rreth 32 viteve është një përrallë për të rritur, që nuk e besojnë as fëmijët…! Ose: një përrallë për të gjallë, që nuk e besojnë as të vdekurit!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co