Në raportin përfundimtar të grupit të ekspertëve lidhur me hetimin e sistemit TIMS, i kërkohet SPAK që hetojë rolin dhe veprimtaritë e paligjshme të personave përgjegjës.
Raporti iu paraqit Komisionit nga kryetari Ervin Salianji, ndërsa në të evidentohen edhe përgjegjësitë institucionale lidhur me atë që opozita e konsideron si një prej skandaleve më të mëdha, në fushën e sigurisë.
Sipas raportit, persona përgjegjës përsa i takon skandalit me TIMS janë: ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ish-ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ish-Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, ish-Drejtori i Drejtorisë së Sistemeve në Policinë e Shtetit, Besjon Tanuzi. Gjithashtu në listën e personave përgjegjës renditen edhe ish-Drejtorja e Drejtorisë së IT-së në Policinë e Shtetit, Nevila Xoxa, Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit, Zef Laska dhe specialisti i Drejtorisë së IT-së në Policinë e Shtetit, Bruno Veizaj.
Në raport thuhet se për hetimin e rolit dhe veprimtarisë së paligjshme të këtyre shtetasve, vlerësojmë se është e nevojshme të kryhet një hetim i plotë, i thelluar dhe i gjithëanshëm nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Raporti sugjeron që SPAK mund të nxjerrë në dritë edhe fakte të reja të paligjshme, ashtu si edhe të identifikojë persona të tjerë, që mund të jenë identifikuar gjatë hetimit parlamentar.
“Sjellim në vëmendje, se për shkak të zvarritjes së dërgimit të kërkesave për informacion nga deputetët e mazhorancës, vonesës në kthimin e përgjigjeve nga institucioneve apo moskthimin e përgjigjeve nga institucionet, si në rastin e Këshillit të Ministrave, rrëzimit të kërkesave për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë dhe kohës së shkurtër në dispozicion, Komisioni Hetimor i Kuvendit ka qenë në pamundësi objektive për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që do të çonin në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Prandaj, SPAK, pasi t’i vihet në dispozicion ky material, në përputhje edhe me kompetencën e saj lëndore të parashikuar nga neni 135, pika 2, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 75/a të Kodit të Procedurës Penale, ka mundësi të hetojë dhe zbardhë të plotë veprimtarinë e paligjshme të personave të sipërcituar”, thuhet në raportin përfundimtar.
Nuk dihet nëse anëtarët socialistë në Komisionin Hetimor do të miratojnë raportin, por nga debati i zhvilluar në nisje të mbledhjes, e fundit kjo për këtë komision, ata tha se do të hidhej në votë ky raport.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co