Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizion i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-presidenti Donald Trump.
Komentet e Bidenit vijnë përballë trysnisë së demokratëve në nivelet më të larta, që po kërkojnë nga ai të largohet nga gara presidenciale dhe të hapë rrugë për emërimin e një kandidati të ri.
Përfshirë gjashtë ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, që iu bashkuan zërave kundërshtarë – ka arritur në 28 numri i atyre që duan që Bideni të tërhiqet nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin me Trumpin.
Bëhet e ditur se presidenti Biden ndodhet i izoluar në shtëpinë e tij në Dellauer, pas infektimit me COVID-19, por ai tha se java tjetër do ta gjejë atë në fushatë.
Biden, i cili këmbëngul se mund ta mposhtë kandidatin republikan Donald Trump, po konsultohet me familjen dhe po mbështetet tek disa këshilltarë të tij të besueshëm ndërkohë që po përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për ta larguar nga gara.
Në një deklaratë Biden tha se fjalimi i Trumpit në Kuvendin Kombëtar Republikan, shpalosi “një vizion të errët për të ardhmen”.
Presidenti, që po përpiqet ta spostojë bisedën politike nga e ardhmja e tij tek agjenda e kundërshtarit, tha se ka në plan t’i rikthehet fushatës javën e ardhshme.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co