Të paktën tre persona mbetën të vdekur dhe deri në 40 të tjerë janë zhdukur pasi një varkë në ujërat në veri të Haitit u përfshi nga zjarri, teksa kishte rreth 80 persona në bord, të cilët po përpiqeshin të arratiseshin në ishujt Turks dhe Kaikos.
Sipas raportimeve nga AP, Zyrtari i Mbrojtjes Civile Jean Henry-Petit tha se të paktën 31 persona ishin shpëtuar nga roja bregdetare e Haitit.
Një zëdhënës i policisë në Cap-Haïtien, ka bërë me dije se mes tre viktimave të gjetur ishte edhe kapiteni i varkës
Zjarri ka të ngjarë të ketë filluar kur dy kazane benzine u ndezën, tha Henry-Petit. Pasagjerët po pinin rum dhe uiski, sipas një dëshmitari, të cilat mund të kenë rënë në kontakt me lëndën e ndezshme, duke shkaktuar zjarrin.
Policia tha se emigrantët po shkonin drejt Providenciales, një ishull në arkipelagun e Karaibeve, ishujt Turks dhe Kaikos.
Të premten, policia Haitiane njoftoi se ishte në kërkim të organizatorëve të këtij udhëtimi klandestin dhe ka nisur një hetim për të mbledhur informacione e për vënë në pranga përgjegjësit.
Incidenti vjen ndërsa dhuna e shfrenuar vazhdon të pushtojë kryeqytetin e Haitit dhe më gjerë në mes të trazirave politike. Bandat e armatosura filluan sulme të koordinuara në shkurt, duke marrë nën kontroll më shumë se dy duzina stacione policie dhe duke hapur zjarr ndaj aeroportit kryesor të Haitit, i cili u mbyll për gati tre muaj.
Që atëherë, rreth 580,000 njerëz janë zhvendosur në vend, sipas OKB-së.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co