Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit Besnik Hoxha në KPA

komisioneri publik kerkon shkarkimin e gjyqtarit besnik hoxha ne kpa
komisioneri publik kerkon shkarkimin e gjyqtarit besnik hoxha ne kpa

Në seancën e shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Besnik Hoxha. Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi parashtrimet e palëve dhe i ftoi ata të përgatisnin konkluzionet përfundimtare. Komisioneri kërkoi shkarkimin e Hoxhës, ndërsa ky i fundit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioneri Publik këmbënguli të mërkurën në shkaqet e ankimit ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës Besnik Hoxha. Në seancën e parë për shqyrtimin e ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Hoxhës, duke arsyetuar se ai nuk arrinte nivel të besueshëm.

“Kërkojmë që shkaqet parashtruara në ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë: – Ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Hoxha”, tha Ballhysa.

Në krahun tjetër avokatja Romina Zano, e cila lexoi qëndrimet e Hoxhës para Kolegjit, këmbënguli në lënien në fuqi të vendimit, duke thënë se pretendimet e Komisionerit Publik nuk bazoheshin në fakte dhe prova.

Duke iu referuar vendimit të KPK-së Zano tha se ai duhej të qëndronte në fuqi. “Është i drejtë dhe i bazuar në ligj, dhe për kёtё arsye kërkoj nga Kolegji i Pavaruar i Kualifikimit lënien në fuqi të kёtij vendimi”, u shpreh avokatja e Hoxhës.

Hoxha, i cili u konfirmua në detyrë me shumicë votash një vit më parë në KPK, është i njohur si një nga anëtarët e trupës që gjykoi çështjen dhe u dha pafajësi gardistëve të akuzuar për vrasjet në protestën e 21 janarit. Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën, u kundërshtua nga Operacioni i Vëzhguesve Ndërkombëtar dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit.

Gjatë leximit të parashtrimeve Ballhysa i qëndroi asaj që kishte paraqitur në ankim. Ai këmbënguli se sa i përket pasurisë Hoxha kishte bërë deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe se ishte “përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në fjalë dhe interesat e vërteta pasurore të tij”.

Komisioneri renditi një sërë rrethanash që sipas tij duhej të ishin vlerësuar ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke theksuar se subjekti nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e barrës së provës.

Për pasurinë: godinë banimi 3-kate në Shkodër Komisioneri arsyeton se zbatimi i parimit të proporcionalitetit siç ka arsyetuar KPK është i pavend. “Është e qartë se parimi i proporcionalitetit nuk mund të merret dhe interpretohet i shkëputur për relativizuar pasaktësinë në deklarim dhe pamjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme në krijimin e pasurisë godinë banimi 3-kate të ndodhur në Shkodër, duke u shmangur kështu, nga detyrimi për deklarim me vërtetësi të tërësisë së pasurisë dhe shpjegimit bindshëm të ligjshmërisë së burimit të krijimit të saj”, thuhet në parashtrime.

Në kundërshtim me këto qëndrime avokatja e Hoxhës parashtroi se subjekti kishte bërë deklarim të saktë. Zano këmbënguli në fjalën e saj se pretendimetet e Komisionerit Publik se nuk mund të zbatohej parimi i proporcionalitetit ishin të pabazuara. Sipas saj Komisioneri Publik nuk kishte paraqitur një shifër se sa ishte diferenca dhe pse kjo nuk mund të cilësohej proporcionale.

“Në fakt Komisioneri Publik nuk paraqet në ankimin e tij se sa është pamjaftueshmëria financiare që sipas tij nuk është as proporcionale. Komisioneri përmend disa shifra, psh për vlerën e ndërtimit në ankim po nuk pretendon në ankim ndonjë diferencë konkrete në mbulimin e kostos së kësaj pasurie”, tha Zano.

Qëndrime të ndryshme palët mbajtën edhe sa i përket pasurisë së dytë. Një apartament në Tiranë i deklaruar si adresë vendbanimi e subjektit. Komisioneri Publik këmbënguli në fjalën e tij se në këtë rast subjekti kishte paraqitur një situatë të ndryshme faktike “nga sa kanë rrjedhur ngjarjet dhe interesat e tij pasurore me këtë pasuri, si dhe momentit të posedimit të saj”.

Zano e kundërshtoi këtë pretendim duke këmbëngulur se nuk kishet prova.

Palët po ashtu u përballën sa i përket dyshimeve të ngritura për kontaktet e subjektit me një sërë personash dhe përdormin e mjeteve të tyre, ndërkohë që kishte gjykuar më herët çështje me këto palë.

Komisioneri Publik këmbënguli se këto raste duhet të vlerësohen për të gjykuar integritetin e magjistratit. “Komisioneri Publik, bazuar në Rekomandimin e ONM-së të datës 19.6.2023, vlerëson se pavarësisht natyrës së çështjeve të gjykuara nga subjekti, është përgjegjësi e tij të mos gjykojë çështje kur ai ka lidhje të natyrës personale apo interesi me palët në gjykim”, tha Ballhysa.

Zano këmbëguli në vijim të fjalës së saj se bëhej fjalë për vendimmarrje deklarative dhe se nuk ishet cënuar integriteti i gjykatës. Ajo po ashtu vuri theksin te koha e kaluar mes çështjes në gjykatë dhe kontaktit të Hoxhës me palët. “Kanë qenë të natyrës deklarative, dhe vendimmarrja i subjektit të rivlerësimit nuk ka si të ketë ndikuar në veprimet juridike të mëpasme”, tha Zano.

Pasi dëgjoi palët, trupa e Kolegjit, me kryesuese Albana Shtylla, relator Sokol Çomo dhe anëtare Ina Rama, Natasha Mulaj e Mimoza Tasi, vendosi të ftojë palët për konkluzionet përfundimtare në datën 22 korrik. /BIRN/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →