Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në QSUNT, Mirela Rexhepi ka hedhur poshtë akuzat e deputeteve të opozitës, Zhani Gjergji dhe Albana Vokshi duke deklaruar se “nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të fshihet apo ndryshohet data e skadencës për barnat pasi çdo veprim kryhet online”.
Gjatë seancës dëgjimore sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me situatën në Spitalin Onkologjik në QSUNT, si dhe me gjetjet e Raportit të KLSH-së të vitit 2022 për sëmundjet tumorale me praninë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Rexhepi deklaroi se sistemi informatik nuk varet nga QSUNT, por kontrollohet dhe verifikohet nga AKSHI.
“ Në 18/04/23 ka ardhur një sasi donacioni e cila është e ruajtur në spital dhe nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të ndërrohet data e skadencës. Donacioni ka ardhur nga Italia në vijim të një marrëveshjeje që shteti ka me Italinë për medikamente. Pasi vijnë në Shqipëri kolaudohen, pajisen me pullë nga Agjencia e Barnave e cila siguron cilësinë e barnave dhe vetëm pasi kolaudohet hyn në farmaci dhe përdoret për pacientët. Në momentin që kalon datën e skadencës është e pamundur që ilaçi të përdoret dhe t’i ndryshohet data”, nënvizoi drejtoresha e Farmacisë së QSUNT-së.
Rexhepi sqaroi se “Farmacia ka detyrimin që komunikimin ta ketë me shefat e shërbimit dhe nuk kemi kontakt me pacientët. Ne njoftojmë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me shefat e shërbimeve”.
“Ju siguroj se nuk ka ndodhur ndryshimi i datës së skadencës”, ritheksoi Rexhepi duke i cilësuar të pavërteta deklarata e kryetares së Komisionit dhe dhe deputetes Vokshi.
Gjithashtu, Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në QSUNT, Rexhepi sqaroi se “për Spitalin Onkologjik, dalja e barnave behet përmes një makine frigoriferike dhe i dorëzohet kryeinfermierit. Asnjëherë nuk ndodh që të dorëzohet terapia e kimios tek vetë pacienti. Pasi dorëzohet receta, përgatitet nga 3 farmacistë. Kërkesa për barna bëhet përmes një recete me dy kopje ku njëra ruhet në farmaci dhe tjetra në kartelën klinike”
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co