Lulzim Basha, në podkastin e rrradhës është shprehur se Sali Berisha nuk donte që PD të vinte në pushtet në vitin 2021. Kjo sipas Bashës për faktin se nuk donte një PD jashtë kontrollit të tij dhe jashtë interesave të familjes së tij.
Ai gjithashtu tha se Berisha po i jep tapi dhe 4 vite të tjera pushtetit të Edi Ramës, me kusht që të mbajë tapinë e Partisë Demokratike të uzurpuar me ndihmën e kryeministrit.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:
”Prandaj e ka thënë fare qartë Berisha, ishte fat i madh që nuk erdhi Partia Demokratike në pushtet në 2021-in, e ka thënë publikisht, mediatikisht. Pse? Nuk do një Parti Demokratike jashtë kontrollit të tij, jashtë interesave të tij e të familjes së tij, e të klientëve të tij. Është më mirë dhe më i sigurtë me Edi Ramën, se i bashkojnë të njëjtat interesa, të njëjtat ankthe, të njëjtat frikëra, sesa me një Parti Demokratike që kryen një evolucion, pra ripërtërihet dhe kalon në një gjeneratë tjetër, kalon në një brezni tjetër politikanësh, kulturash politike dhe mendësie politike. Pra, shkurt dhe qartë janë bashkë për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Dhe gjithçka të re që kërcënon këtë bashkësi të tyre, e shohin si armik të përbashkët. Prova e para është amnistia me të cilën liruan të korruptuarit dhe lanë protestuesit. Prova e dytë është prishja e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe tani shumë shpejt pazari që po gatuhet për të mbyllur listat. Sot listat janë të hapura me vendim të Gjykatës Kushtetuese, që do të thotë kush merr më shumë vota, shkon në Parlament. As Edi Rama, as Sali Berisha nuk i duan listat e hapura. Listat janë një nga instrumentet e pushtetit të tyre okult, që nga Kushtetuta e 2008-ës, se bashkë e bënë kushtetutën që kryetari i partisë të kishte në dorë gjithçka. Të ishin zotër e ta trajtonin partinë politike si orendi shtëpiake. Ndaj, tani po luajnë lojën tjetër, të mbyllin listat. Dhe stacioni final i këtij pazari me anë të cilit Sali Berisha po jep tapi dhe 4 vite të tjera të pushtetit të Edi Ramës, me kusht që të mbajë tapinë e Partisë Demokratike të uzurpuar me ndihmën e Edi Ramës, stacioni tjetër është që të godasin kërcënimin më të madh në 34 vite kundër politikanëve të korruptuar dhe korrupsionit në tërrësi, që është Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, është SPAK-u’‘, tha Basha.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co