TURI I FRANCËS 2024/ Superduel, Vingegard mposht Pogaçarin

turi i frances 2024 superduel vingegard mposht pogacarin
turi i frances 2024 superduel vingegard mposht pogacarin

Dueli ndërmjet Tadej Pogaçar dhe Jonas Vingegard është kthyer t’i japë gjallëri Turit të Francës. Fituesit e katër edicioneve të fundit të evenimentit më prestigjioz botëror të çiklizmit, slloveni në vitet 2020 dhe 2021 dhe danezi në sezonet 2022 dhe 2023, dhuruan një superduel elektrizues dje në etapën e 11-të, Evaux les Bains – Le Lioran (211km).

Gjithçka u zgjidh në sprintin final, me Vingegard (Team Visma – Lease a Bike) që mposhti rivalin e tij, duke fituar etapën e 11-të me kohën 4:58:00, për t’u rikthyer te suksesi për herë të parë që pas aksidentit të rëndë të 4 prillit në Spanjë. Megjithatë, Pogaçar (UAE Emirates) e ruan fanellën e verdhë, madje duke e thelluar edhe më shumë diferencën, kjo pasi ndjekësi më i afërt belgu Remko Evenepoel (Soudal Quick-Step) mbërriti në finish i treti me 25 sekonda larg kreut. Tashmë Pogaçar e thellon diferencën në 1 minutë e 6 sekonda nga Evenepoel, ndërsa i treti në renditjen e përgjithshme mbetet Vingegaard me diferencë 1 minutë e 14 sekonda.

PROGRAMI – Edicioni i 111-të i Turit të Francës do të vijojë sot me etapën e 12-të, Aurillac – Villeneuve sur Lot (203.6km), një garë që mund tu buzëqeshë çiklistëve të sprintit. Në Turin e Francës garojnë 174 çiklistë nga 22 skuadra dhe do të jenë gjithsej 21 etapa për një numër total prej 3,498 km. Aktiviteti ka nisur më 29 qershor me tre etapat e para në Itali dhe do ta ulë siparin më 21 korrik, ku për herë të parë që prej vitit 1905 eventi do të mbyllet në Nice. Një ndryshim ky që ka ardhur për shkak të afërsisë me ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike që do të mbahet më 26 korrik në Paris.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →