Shqipëri–Kosovë, lehtësohet lëvizja për qytetarët edhe në Qafë Morinë, Balla: Pika të përbashkëta kontrolli, përfitojmë nga mundësia që ofron teknologjia

shqiperi kosove lehtesohet levizja per qytetaret edhe ne qafe morine balla pika te perbashketa kontrolli perfitojme nga mundesia qe ofron teknologjia
shqiperi kosove lehtesohet levizja per qytetaret edhe ne qafe morine balla pika te perbashketa kontrolli perfitojme nga mundesia qe ofron teknologjia

Qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë me regjim të lehtësuar lëvizje në dy krahët e kufirit, përmes pikave kufitare që lidhin dy vendet, në zonën e Tropojës e Gjakovës. Përfitues janë jo vetëm këta qytetarë, por edhe turistë që vizitojnë dy shtetet.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ishin sot në Pikën Kufitare Qafë Morinë, ku nënshkruan Protokollin për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar, në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec/Krushevë, Borje/Glloboçicë dhe Orgjost/Orçush.

“Lajmi i mirë është se eksperiencën e fituar nga Pika e Kalimit Kufitar të Morinës, po e shtrijmë në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar. Qytetarët e Tropojës do ta kenë shumë më të lehtë të kalojnë në Gjakovë, qytetarët e Hasit po ashtu, por dhe Kukësi dhe Dragashi, në mënyrë që të garantojmë që në të gjitha këto pika të kalimit kufitar të kemi jo vetëm një kontroll të përbashkët mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe mes Policisë së Shtetit të Kosovës, por gjithashtu edhe për të shkurtuar kohën. Siç jeni në dijeni për shtetasit e Shqipërisë edhe të Kosovës nuk ka më kontrolle sikurse e patë dhe e ndoqët. Ne kemi përfituar nga mundësia që na jep teknologjia, që përmes sistemit të kamerave të regjistrojmë të gjitha targat për të pasur një evidencë të qartë. Ndërkohë që lajmi i mirë nuk është vetëm për ne, për qytetarët e Shqipërisë apo të Kosovës, sepse në këto pika të kalimit kufitar janë dhe të shumtë turistët që vijnë vizitojnë bukuritë e Malësisë së Gjakovës në të dy pjesët e saj, kështu që në këtë aspekt edhe për qytetarë të huaj, vizitorë që vijnë në Tropojë apo duan të shkojnë në Gjakovë ky lehtësim i kalimit të kufirit është një mundësi e mirë. Për të gjithë ata që kanë pyetje, që kanë shqetësime dua të them se kjo është një praktikë europiane dhe kjo është një praktikë e konsoliduar nga shumë vende në Europë dhe prandaj gjej rastin dhe unë t’i bashkohem falënderimit që bëri kolegu im, Ministri i Brendshëm i Kosovës, për të gjithë ata që kanë punuar, për të gjitha ekipet e punës, qoftë nga dy Policitë, qoftë nga dy Ministritë e Brendshme që ia arritëm realizimit të plotë të këtij protokolli të lehtësuar mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, deklaroi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Në përgjigje të interesit të medias, për përmbajtjen teknike të protokollit, ministri Balla tha se teknologjia ndihmon e lehtëson procesin.

“Sikurse e evidentuam edhe përmes sistemit të kamerave dhe unë do ju ftoja ju që pas komunikimit me ne ta bëni një kalim të gjithë Protokollit, pra nëse një makinë me numrat, targa të Kosovës vjen për të hyrë nga Gjakova për të shkuar në Tropojë, thjesht dhe vetëm bënë një ulje të shpejtësisë dhe kalon ndërkohë që moduli i sistemit të kamerave bën filmimin, leximin e targës dhe targa e automjetit kalon, ngarkohet në sistem, kjo ndiqet për ta sqaruar, vetëm për automjete me numra, me targa të Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Për të tjerat vazhdon pjesa e kontrollit që kemi pasur dhe mos harroni asnjëherë që gjëja e rëndësishme në gjithë këtë proces është njehsimi, pra pikat e përbashkëta të kontrollit. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme mes dy qeverive tona”, sqaroi Ministri.

Më tej, Balla kishte një ftesë për qytetarët në dy krahët e kufirit, për atë që e konsideron turizëm patriotik.

“E kemi kthyer në traditë tani më, që gjatë sezonit turistik, për shkak të numrit të lartë të vëllezërve dhe motrave që vazhdojnë të zgjedhin Shqipërinë, dhe unë i falënderoj të gjithë ata që vendosin edhe patriotizmin për të bërë pushime, se nuk duhet të jesh patriot vetëm kur luan Kombëtarja, por edhe kur konsumojmë produkte, qofshin ushqimore apo paketa turistike. Ftesa ime është për të gjithë vëllezërit dhe motrat e Kosovës është të vijojnë të bëjnë pushime në Shqipëri. Tanimë kanë mundësi të vizitojnë bregdetin e jugut duke kaluar në Tunelin e Llogarasë. Unë falënderoj Policinë e Kosovës që bëhet pjesë e kontrolleve tona të përbashkëta, sa i përket garantimit të sigurisë rrugore. Këto nuk i kemi vetëm me Kosovën në fakt, por edhe me Italinë, që patrullojnë së bashku me Policinë Shqiptare për të garantuar rend e siguri. Shqipëria mirëpret, e unë besoj se do t’i tejkalojmë 14 milion turistë. Por natyrshëm që vëllezërit dhe motrat e Kosovës zënë pjesën kryesore. U jam shumë falënderues. Edhe kjo që bëjmë sot do të nxitë sa më shumë, se lehtësimet e kalimit kufitar janë gjithmonë incentiva për të përshpejtuar kalimin e kufirit dhe për të bërë pushimet në Shqipëri. Sikurse në dimër qytetarë të Shqipërisë janë të shumtë, që kanë mundësi të zgjedhin destinacionet e bukura malore, në fakt edhe tani në verë, të Kosovës. Duhet të ndihemi të dyja palët patriotik në kuptimin e zgjedhjes së ofertave turistike”, apeloi ministri i Brendshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →