Lampedusa e re ndodhet në Atlantik, disa dhjetëra kilometra nga bregu veriperëndimor i Afrikës, në Ishujt spanjollë Kanarie. Në vitin 2023, mbi 39 mijë emigrantë arritën në këtë pjesë të Evropës me pamje nga Sahara Perëndimore duke filluar nga Maroku, Mauritania, Gambia dhe Senegali.
Dhe zbarkimet vazhduan gjatë gjithë vitit 2024. Një rrugë që, si më të njohurat në Mesdhe, po lë pas vetes gjurmë vdekjesh. Bilanci nga tragjedia e fundit e ndodhur në fillim të kësaj jave flet për 89 viktima dhe dhjetëra të zhdukur.
“Roja bregdetare mauritaniane ka gjetur trupat e 89 personave në bordin e një varke të madhe tradicionale peshkimi që u përmbys të hënën më 1 korrik në brigjet e Oqeanit Atlantik”, rreth katër kilometra nga qyteti Ndiago, në jug-perëndim të vendit, tha agjencia shtetërore e lajmeve.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, anija ishte nisur nga kufiri midis Senegalit dhe Gambias me rreth 170 pasagjerë në bord. Për momentin falë ndërhyrjes së rojes bregdetare kanë shpëtuar vetëm nëntë persona, mes tyre edhe një vajzë pesëvjeçare.
Rruga e Atlantikut po bëhet gjithnjë e më popullore pas vigjilencës së shtuar mbi Mesdheun, me Bashkimin Evropian që rrit marrëveshjet e tij me vendet e Afrikës së Veriut (Tunizia, Egjipti, Libia) për të bllokuar nisjet. Edhe kalimi i Saharasë është bërë më i rrezikshëm, për shkak të pranisë së shtuar të forcave policore të shteteve të Afrikës Veriore, të cilat shpesh, siç dëshmohet nga hetimet dhe raportet e ndryshme nga OJQ-të, i kthejnë emigrantët në shkretëtirë.
Por edhe rruga që të çon në Ishujt Kanarie nuk është pa rreziqe, përkundrazi: rrymat e forta dhe përdorimi i anijeve të mbingarkuara dhe shpesh të papërshtatshme për lundrim janë një përzierje gjithnjë e më vdekjeprurëse. Sipas Caminando Fronteras, një organizatë jofitimprurëse spanjolle, në pesë muajt e parë të këtij viti më shumë se 5,000 emigrantë vdiqën duke u përpjekur të arrinin në Spanjë përmes detit, që është e barabartë me 33 vdekje në ditë. Shumica e tyre vdiqën përgjatë rrugës së Atlantikut.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co