A ka bërë Vuçiç kërkesë për ta vizituar Kosovën? Ja përgjigja zyrtare nga Ministria e Jashtme

a ka bere vucic kerkese per ta vizituar kosoven ja pergjigja zyrtare nga ministria e jashtme
a ka bere vucic kerkese per ta vizituar kosoven ja pergjigja zyrtare nga ministria e jashtme

Në veri të Kosovës janë shfaqur postera me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.

Posterat janë vendosur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi se autoritetet kanë nisur hetimet për “nxitje të urrejtjes”.

Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterave, por “policia po punon në drejtim të zbardhjes së rastit”.

Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterave në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit Vuçiç. Ai tha se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të burgoset.

“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe pastaj mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla në Facebook.

Mediat kanë pyetur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka bërë kërkesë për ta vizituar Republikën e Kosovës.

“Ju informojmë që në MPJD ditët e fundit nuk ka ardhur asnjë kërkesë për vizitë të ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MPJD-së për median.

Shfaqja e posterave në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin.

Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që të dorëzojë Radoiçiçin dhe grupin e tij te autoritetet gjyqësore të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë raundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 qershor.

BE-ja tha se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →