Policia e Shtetit/Organizohet dhe finalizohet operacioni policor i koduar “Portat”.
Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me homologët britanikë, ka fokus goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Goditen në PKK Port, Durrës, 1 rast i mosdeklarimit të parave të dyshuara me burim krimin dhe 1 rast i kontrabandimit të mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Sekuestrohen në hyrje të Shqipërisë, 111 000 paunde dhe mallra me vlerë 900 euro.
Procedohen penalisht 2 shtetasit që transportonin paratë dhe mallrat, me automjete me targa britanike.
Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur ndërmjet Ministrisë së Brendshme, Mbretërisë se Bashkuar dhe Irlandës se Veriut, për shkëmbimin e informacionit për qëllime që lidhen me emigracionin, si dhe në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ngritjen dhe funksionimin me kohë të plotë të Task-Forcës së Përbashkët ndërmjet Policisë se Shtetit dhe Autoriteteve Britanike, për Migracionin, shërbimet e Policisë Kufitare, autoritetet doganore, specialistët për Hetimin e Krimeve të drejtorive vendore të Policisë dhe ekspertët e kompanisë së skanimit S2, të koordinuar me përfaqësuesit e Ambasadës se Mbretërisë se Bashkuar, në Shqipëri, janë angazhuar për finalizimin e operacionit policor mbarëkombëtar, të koduar “Portat”, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Gjatë kësaj faze të operacionit, në bazë të analizës së riskut dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet 2 partnerëve, në PKK Port, Durrës, në hyrje të Shqipërisë, u kaluan për kontrolle në vijë të dytë:
-mjeti bizarke, me targa të Mbretërisë së Bashkuar, me drejtues shtetasin N. V., 47 vjeç, banues në Klos. Nga kontrollet në këtë mjet dhe në 8 automjetet që transportoheshin me të, u gjetën në total 111 000 paunde, të padeklaruara konform ligjit dhe të dyshuara me burim krimin. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin dhe u sekuestrua më cilësinë e provës materiale, shuma e paundeve;
-mjeti tip “Audi”, me targa të Mbretërisë së Bashkuar, me drejtues një shtetas shqiptar me qëndrim në Angli. Nga kontrollet në këtë mjet, u gjetën mallra për të cilat paguhet akcizë, me vlerë rreth 900 euro. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesin e mjetit dhe u sekuestruan më cilësinë e provës materiale, mallrat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Përvetësimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.
Policia e Shtetit është plotësisht e angazhuar që në kuadër të operacionit “Portat”, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar, të marrë të gjitha masat për të parandaluar dhe goditur çdo veprimtari të kundërligjshme në të gjitha pikat e kalimit kufitar, të cilat cenojnë sigurinë publike dhe atë të qytetarëve të këtyre vendeve.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co