A mund të lidhet heqja e masave me Asociacionin, deputeti i VV-së: Nga BE mund të presim çdo gjë

a mund te lidhet heqja e masave me asociacionin deputeti i vv se nga be mund te presim cdo gje
a mund te lidhet heqja e masave me asociacionin deputeti i vv se nga be mund te presim cdo gje

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia që Kosovës t’i lidhet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe edhe me heqjen e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës. Sipas tij, këtë e ka dëshmuar ndërlidhja e Asociacionit me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Kemi thënë se s’ka ndërlidhje të proceseve, por e pamë se ka në Këshill të Evropës. Ka qenë linjë e mirëmbajtur e përfaqësuesve të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian që s’do të përzihen këto gjëra, por e pamë se çka ndodhi. Leximi im krejt personal është ky. Në këtë kohë të turbullt politikisht nga Bashkimi Evropian mund të presim çdo gjë. Ta kemi të qartë. Por ajo që duhet ta dimë është që të paktën deri në momentin kur po flasim s’ka kërkesë të tillë nga BE-ja dhe siç ka deklaruar edhe kryeministri e zëvendëskryeministri s’ka komunikim të tillë dhe presim të mbetet aty ku është, pra në kuadër të procesit të dialogut, marrëveshjes së Brukselit dhe draftit të Ohrit”, ka deklaruar Gjyshinca në KTV.

Ai ka thënë se nga fillimi, këto masa kanë qenë të padrejta. Radio Evropa e Lirë ka raportuar duke u thirrur në burime se në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht. Sipas burimeve, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç edhe ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, lidhur me hapat që Kosova ka ndërmarrë për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në raportin e tij, Borrell rekomandoi që Kosovës t’i hiqeshin masat, ndërkaq Prishtina të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë që të ulen tensionet dhe që të shmangë veprimet e pakoordinuara. Ai këtë konstatim e bëri pas një shqyrtimit të hollësishëm të hapave që Kosova ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve specifike që BE-ja i vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023. Sipas burimeve diplomatike, disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe aktualisht këto shtete nuk pajtohen që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →