Fajtorët e pafaj të PISA 2022

fajtoret e pafaj te pisa 2022

































QEMAL CEJKUQEMAL ÇEJKU

Nuk ka si të mos ketë dështim në një vend që është kthyer në një mishmash eksperimentesh në kurriz të arsimit. Nuk ka si të mos ketë “fitore” kur edhe libri shkollor është kthyer në biznes, biznes ku fitojnë matrapazët që i “lyejnë rrotën” qeverisjes dhe humb e ardhmja e një kombi. Libra të përkthyer keq dhe të paeksperimentuar në terrenin ku do të implementoheshin. Kurrikula të reja me bazë praktikën dhe eksperimentimin, por me infrastrukturë të vjetër në thelb, me laboratorë bosh e me hapësirë të pamjaftueshme për t’i vënë në jetë, kjo për arsye të kushteve fizike përgjithësisht, por edhe të numrit të madh të nxënësve në klasa në zonat urbane. Nuk mund të përmbushen këto sigurisht, me një buxhet të varfër që i lihet arsimit, ndër më të ulëtit në rajon. Po faji mbetet tek ata, mësuesit që punojnë më fort, edhe pse e dinë që shpesh kthehen në Don Kishotë duke luftuar me mullinjtë e erës. Po, po me ata mullinj që ngre jo vetëm qeverisja, por edhe psikologjia e turmës.

Mësuesi sot është ai që gjykohet nga të gjithëdijshmit, por që nuk marrin guximin të bëhen vetë mësues, se është “modeli” më i keq për të ndjekur. Është ai që paguhet më pak (të mos harrojmë se lufta më e madhe bëhet për mbijetesë), ai që shtypet nga lart nga poshtë, majtas e djathtas, ai që duhet të jetë adapt përsa i takon formimit profesional, duhet të jetë psikolog, sociolog, poliglot, infermier, hetues, polic…

Mësuesi është ai që përballet me stile edukimi që servirin mediet, stile që promovojnë modele që bëhen të pasur apo të famshëm me antivlera.

Mësuesi është ai që përballet me prindër që kanë humbur sensin e prindërimit, apo që janë dorëzuar para këtij “misioni” (për shumë arsye).

Mësuesi është ai që nuk guxon të japë një detyrë krijuese se i vijnë modele të njëjta zgjidhjeje (shpesh pa sens logjik) nga të ashtuquajturat “after school”, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut për shkak të politikave të “mirëstudiuara” qeveritare dhe prindërit i shohin si zgjidhje e vetme nga halli.

Është ai që ndihet i gjykuar akoma pa filluar mirë punë se fundja është ai që ka mesatare më të ulët pranimi, e megjithatë pranon të luftojë me sfidën se i duhet të jetojë edhe atij.

Është ai që mban baule me vete sa herë shkon në punë se duhet të përgatisë të gjitha mjetet që nuk i ofron shkolla, dhe këto shpesh duke hequr mënjanë nga buxheti “i pasur” i familjes.

Është ai që duhet të update-ohet me të renë më shpejt se kompjuterat se i del situata nga kontrolli.

Është ai që duhet të jetë gjithmonë gati për t’iu përgjigjur urdhrave në grupe (Rroftë teknologjia!) apo telefonatave të prindërve për sa e sa halle që duhet t’i kuptojë e suportojë, por që atë nuk e kupton, as e suporton kush.

Është ai që duhet të heshtë përpara shfrimeve të paedukata të të rinjve (jo të gjithëve sigurisht) se “kryqëzohet” për mosrespektim të të drejtave, apo del me gjymtyrë të thyera nga klasa.

Është ai që duhet të përqafojë çdo nismë qeveritare, edhe pse e kupton qe është jo e logjikshme (se në fund të fundit nuk e pyet kush, vendosin të “gjithëdijshmit”).

Është ai që demotivohet përditë nga të gjitha hallkat e shoqërisë dhe në fund edhe fajin për rezultate të dobëta e merr po ai. Ta “kërrejmë” këtë të keqe (siç thotë doktor Adhamudhi i Çajupit) dhe të rrimë pastaj rehat, pa mësues, pa shkolla, pa të ardhme…. Ose ta shërojmë duke forcuar të gjitha hallkat ndihmuese. Duke ndihmuar mësuesin ndihmojmë veten se nga duart e tij do të dalin ata që do të na kenë në dorë neve në të ardhmen.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →