Partia Socialiste e ka mundur Sali Berishën si me vulë, ashtu edhe pa vulë, të bashkuar ose copë e çikë. Me këtë mesazh iu drejtua socialistëve të Njësisë 1, Erion Veliaj, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës. Sipas tij, PS do të fitojë sërish në zgjedhjet e 2025.
“Sot nuk është çështja te e majta dhe e djathta, sot janë përballë kultura me anti-kulturën. Sot janë përballë vlerat dhe rrugaçëria. Sot është përballë perëndimi dhe talibanët. Ka edhe një parti tjetër që djeg gomat, ndodhet në Afganistan. Quhet Partia e Talibanëve. Ata nuk dinë ta komunikojmë urrejtjen për Perëndimin, për zhvillimin, dhe djegin goma. Por, zgjedhja është shumë e qartë: kush do punën dhe kush do dhunën; kush do që të shkojë përpara, kush do që të shkojë mbrapsht; kush është për njerëzit, kush është kundra njerëzve. Dhe ajo që e do vendin ta çojë përpara, drejt Perëndimit, është vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne ata i kemi mundur, me vulë dhe pa vulë, të bashkuar dhe copë e çikë. Le ta bëjnë formulën si të duan, ne prapë do i mundim ata”, tha Veliaj.
Ai u ndal edhe te protestat e dhunshme të opozitës me molotovë para Bashkisë së Tiranës. Veliaj u shpreh se sot Shqipëria dhe Tirana janë duke përjetuar ditët më të mira, ndërsa opozita merret me djegie gomash.
“Sot jemi në ditët tona më të mira dhe këtë e ka realizuar Partia Socialiste e Shqipërisë. Nuk jemi perfektë, por kush ka bërë 99 punë, i bën edhe 100. Kush djeg vetëm goma, kush vret njerëz, kush sakaton kundërshtarin e vet, eventualisht do i bëjë vetes atë që i ka bërë tjetrit. I pashë herën e fundit në protestë, ziheshin kush rrëmbente mikrofonin. Ia hidhnin flakën njëri-tjetrit, thashë do digjen me njëri-tjetrin, dhe si t’ia shpjegosh botës që u dogjën vetë?! Si mund ta bëjë njeri këtë në 2024? Njerëz që theren me njëri-tjetrin kush të shajë më shumë, kush të shpifë më shumë, kush të djegë më shumë”, tha ai.
Veliaj u shpreh se fajin për këtë sjellje me djegie gomash të opozitës nuk e ka vula. “Si mundet viti 2024, digjen goma akoma në Tiranë? Mendoni që e kanë fajin vulat? Ata edhe me vulë, prapë goma do djegin! Se vetëm ashtu dinë të komunikojnë, vetëm ajo është gjuha e shenjave të tyre”, nënvizoi ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co