Milani projekton Armando Brojën si një nga emrat e repartit të sulmit për edicionin e ri. Lajmi ka qarkulluar në dy ditët e fundit në Itali dhe është bërë e ditur se përgjegjësi i merkatos së kuqezinjve, Xhefri Monkada, ka udhëtuar drejt Londrës për të qenë vetë pjesë e negociatave direkte me drejtues të klubit anglez.
Broja është një profil që pëlqehet nga klubi anglez, duke parë edhe moshën e tij të re dhe mundësinë e jashtëzakonshme të përmirësimit që ka futbollisti shqiptar. Ai shihet si një alternativë e rëndësishme për majën e sulmit, ku prioritet vazhdon të jetë gjithsesi blerja e Xhoshua Zirkze nga Bolonja.
Megjithatë, Milani ka një kusht të qartë për Çelsin në mënyrë që të finalizojë transferimin e Brojës. Sipas mediave përtej Adriatikut, klubi italian ka hapur negociatat me idenë e qartë se nuk do të blejë menjëherë kartonin e futbollistit. Italianët kanë kërkuar që ai të huazohet, por me të drejtë blerje me një shifër të përcaktuar, vetëm në fund të edicionit.
Ky vlerësohet si kusht i panegociueshëm për momentin, për shkak të situatës financiare të Milanit që nuk dëshiron të kalojë kufijtë e caktuar nga UEFA për Fair Play Financiar. Tani mbetet të shihet si do të reagojë Çelsi ndaj këtij propozimi, duke llogaritur se Broja nuk bën më pjesë në planet e londinezëve dhe ata shpresonin të fitonin menjëherë të ardhura të rëndësishme nga shitja e tij.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co