Kreu i PD Lulzim Basha ka ndarë në rrjetet e tij sociale fjalën e ekonomistit të njohur, Prof. Dr. Selami Xhepa, i cili u bë pjesë e diskutimit që kjo forcë politike ka nisur mbi programin e saj.
Sipas kryedemokratit Basha vëmendja dhe energjitë e PD janë te qytetarët dhe problemet e tyre, të cilët i fton tw bëhen pjesë të një debati kombëtar për çështjet e shtruara për zgjidhje nga kjo forcë politike.
Postimi i Bashës:
“Vëmendja dhe e gjithë energjia e Partisë Demokatike shkon vetëm te qytetarët, te problemet dhe shqetësimet e tyre, për t’u ofruar alternativën tonë përmes propozimeve të mirëstudiuara që luftojnë korrupsionin dhe zhvillojnë mirëqenien, sepse Shqipëria nuk meriton keqqeverisjen që e ka varfëruar dhe shpopulluar. Shqipëria meriton më shumë.
Debati i madh kombëtar që kemi nisur mbi programin tonë, i cili është fryt i punës së ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, do ta kthejë atë në programin e gjtihë shqiptarëve.
Prof. Dr. Selami Xhepa, ndër ekonomistët më të mirë që Shqipëria ka, u bë pjesë e këtij debati, duke e cilësuar programin tonë jo vetëm si një program elektoral, por si një program qeverisës.”
Ndërkaq në fjalën e tij Prof. Dr. Selami Xhepa komentoi gjerësisht programin e PD, duke e cilësuar jo vetëm si një program zgjedhor, por si program qeverisës, i cili është i realizueshëm:
“Ky program mbështetet edhe mbi principet e një të djathte konservatore, sepse merret me pronën, merret me madhësinë e shtetit, sa i madh duhet të jetë shteti dhe sa duhet të jetë raporti i shtetit me individin, merret me familjen dhe këto janë principet themelore të një force të djathtë politike konservatore. Dhe unë personalisht i gjej këto element të mishëruar më së miri në këtë program. Së dyti, është pikëpyetje e përhershme a është i realizueshëm dhe madje shpesh herë dhe në bisedat e analistëve që bëhen darkave, është që “jo është program i mirë por nuk është i realizueshëm, se këtej kemi ulje taksash, këtej kemi rritje shpenzimesh. Është i realizueshëm sepse është edhe i testueshëm. Së treti, do të thoja që programi korrekton disa dështime serioze të sistemit tonë ekonomik që janë ngjizur në këto 30 vite të tranzicionit. Me këtë dua të them që edhe pse shpesh reformat kanë synuar që të zgjerojnë lirinë ekonomike, kanë synuar që të rrisin konkurrencën e tregut, fatkeqësisht është në natyrën e ekonomisë politike të reformave që sapo krijohet një grup përfituesish, ata bëhen barierë dhe nuk lejojnë më që reformat të jenë një gjetje në çlirimin e hapësirave për zhvillim dhe sipërmarrje të lire,” tha ndër të tjera Xhepa.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co