“Nuk është vonë të lësh një fjalë”, Katjusha Pogaci flet “Përpara letrës së bardhë”

nuk eshte vone te lesh nje fjale katjusha pogaci flet perpara letres se bardhe

































Katjusha PogaçiPROF. DR. HAJRI SHEHU

Libri është botuar nga “Mediaprint”. Titulli i librit është edhe titulli i poezisë, që poetja ia kushton nipit të saj të shumëdashur, Laertit.

Libri paraprihet nga një parathënie mjaft sintetizuese, shkruar nga vetë poetja. “Ky libër, – thotë ajo, – ashtu si edhe vëllimi poetik paraardhës, ‘Një gotë diell’ (poezi 2021), është botim me kriter kohor, kronologjik dhe përmban poezi të shkruara gjatë vitit 2013”. Dhe, në rend kronologjik, poezitë fillojnë më 1 janar 2013. Poezia e fundit është e 29 dhjetorit 2013, me titullin e bukur “Syrin diell, hënën vetull”. Dhe, vlerësimi im i parë është: Libri i Katjushës është ditar i bukur poetik.

Autorja e shpjegon bindshëm pse ka zgjedhur këtë mënyrë tubimi e renditjeje. “Poezia e datuar, – thotë ajo, – është në njëfarë mënyre edhe një dëshmi, një ditar lëvizës… Për mua, – vijon më tej poetja, – data dhe vendi ku janë shkruar, përfshirë autorin dhe gjuhën, janë një pasaportë e çdo poezie”. Po, sigurisht. Dhe poezia, edhe në hapësirë, edhe në kohë, vjen nga idetë, ndjenjat, ndjesitë, botëkuptimet, pëlqimet a mospëlqimet etj., të poetit. Edhe këto autorja i thotë në Parathënie, me nëntitullin krejt mbushamendës: Kur poezia buron nga asociimi i ideve. Dhe pastaj, në poezitë e vëllimit, këto idetë, ndjenjat, botëkuptimet, pëlqimet etj. i shohim, vërtet krejt të ngjizura.

Besojmë se një tjetër ide që përcjell kjo mënyrë renditjeje mund të jetë: Kjo ka qenë koha. Kështu ka qenë koha. Këto na kanë preokupuar. Ky ka qenë frymëzimi im. Në vitin 2016, Katjusha ka botuar një vëllim tjetër mjaft të mirë poetik me titullin kuptimplotë: “Shkruaj kohën”. Teksti është i madh.

Poezia është ajo ndjenja e lirisë. Por një liri jo kaq e lehtë. Dhe poetja na e thotë në vargje ç’është poezia: Poezia është si Alpet,/Duhet frymë për t’u ngjitur./Pas një maje del prapë majë, / Krejt e bardhë e diellndritur. Dhe qenka e vështirë, atëherë. Dhe prandaj poezinë e bëjnë vullnetfortët, ata e ato që nuk jepen. Jo vetëm poezinë. Edhe punën. Edhe luftën, edhe përpjekjet. Edhe jetën. Dhe kësisoj, maja tjetër do të jetë për ju e për ne krejt e bardhë e diellndritur. Dhe vjen këshilla e ngrohtë e poetes: Mos u lodh e mos u druaj,/As nga bora, as nga maja. Sepse: Do pikojnë nga majë e penës./ Vargje rruazash të bardha. Dhe: Do t’i vënë në gushë fëmijët, / Vajza, djem, burra e gra, / Kur të flenë e kur të zgjohen, / Nëpër ëndrra të mëdha. Shih paralelen: majë e malit / majë e penës! Ajo na thotë aq shumë.

Libri ka edhe një pasthënie. E shkruar bukur. Parathënia na tregon strukturën e librit, përmbajtjen, idetë. Pasthënia na thotë që, edhe pse poezia është e vështirë, duhet shkruar. “Përpara letrës së bardhë” është titulli i saj. Është shtjellim i bukur letraro-artistik. Është ese letrare-artistike. Është thënie shprestare e frymëzuese për të gjithë ata e për të gjitha ato që merren me krijimtari. “Boja e stilolapsit, – thotë poetja, – është trajektore zogjsh në fluturim”. Fluturimi: Lart e më lart!

Poezinë e bëjnë talentet dhe të diturit. Gjithë letërsinë e bëjnë talentet dhe të diturit. Dhe ata e ato që e shtojnë vazhdimisht diturinë. Katjusha është në këtë rend. Me poezitë e saj. Me fjalën e saj. Dija dhe ditari i saj poetik na thonë shumë. Një përveçim: Te poezia Fjala dhe heshtja, poetja na jep sentencën: Fjala bën ylberin, / Heshtja qiellin gri. Thënie e madhe. Që vjen nga dija. Konceptualizmi: Fjala. E thëna. Teksti: Thuaje fjalën. Mos e mbaj peng. Thuajua të tjerëve. Thuaja edhe vetes. Sepse i mençur është njeriu vetëqortues, ai që i flet vetes. Dy thëniet e poetes janë edhe dije morale, edhe formim moral, edhe intuitë morale. Një fjalë e urtë popullore thotë: (Asnjëherë) nuk është vonë të lësh një fjalë. Këtë thotë edhe Katjusha. Dhe e thotë bukur. Sepse e thotë poetikisht. Sigurisht, njeriu që di të flasë, di edhe të heshtë. Talent është të gjesh momentin. Të gjesh momentin, edhe kur duhet heshtur. Prandaj poetja thotë: Fjala si kurorë, / Heshtja si zambak.

Në vëllim janë 12 grupe poezish, si për 12 muaj të vitit. Çdo grup – me një kryetitull, çka do të thotë se janë në të vërtetë, 12 libra. Të gjitha poezitë – secila me përmbajtjen e vet, me vargun e vet e me idenë e mesazhin e vet – janë të bukura. Të gjitha të bëjnë t’i receptosh thellë e të mendosh thellë. Dhe, po të të thonë të zgjedhësh, nuk zgjedh dot. Sepse i do të gjitha. Lexoni, p.sh.: Atdheu, Toka, Rrapi i Libohovës, Portret, Gurët e detit, Përmbi urën me dërrasa, Fjala dhe heshtja, O ti reja me furtunë, Merr gjithë kohën që të duhet, Shkruaj, Doreza e portës. Nën çati fle jeta, Lodhja, Pa frena, Teh i hirtë, Nëse një ditë do të më thuash e të tjerat, për t’u njëmendësuar me këtë thënien tonë.

Në vëllimin poetik të Katjushës kalojnë si në revistë vende, vise, visore. Dhe, me fjalët e zgjedhura të poetes, i perceptojmë me sy e me mendje. Me mendje dhe me zemër. Dhe mbushullohemi me mall e me dashuri, më së pari, për vendin tonë, për viset tona. Domosdo. Se është Shqipëria, se janë viset tona. Shqipëria është kryevendi. Dhe dashuria dhe malli për Shqipërinë kapërcen çdo kufi: Më merr o zog, më merr me vete, / Unë gati jam të vij me ty; / Flakim bagazhe dhe derte / Dhe fluturojmë për Shqipëri. Poetja ka mall e dashuri edhe për gurët e detit – të Dhërmiut, të Gjirit të Manastirit, të Ksamilit, të Lukovës, të Bunecit … Domosdo. Se janë Shqipëri. Poetja thotë:

Unë gurët e Bregut i dua, / Me ta flas si me njerinë; / Si perla disa i ruaj, / Si perla në shpirt më ndrijnë. Dhe ky shpirti Shqipëridashës i poetes rrjedh e nuk shter asnjëherë. Sado të iki larg, – thotë ajo në një poezi të shkruar në avion, – Më ngjallet malli i vjetër / Se je i pari mall / E s’ka si ti një tjetër. Paçim ku ardhshim! Është urim i përhershëm popullor. Dhe poetja ka ku vjen. Ka Atdheun. Dhe Atdheu e pret atje te malet. E pret atje te fusha. E pret te Qafa e Llogarasë. Llogaraja është monumentale. Madhështore. Aq e bukur është visorja (peizazhi), Sa s’ka pikturë që e arrin, / Veç në marrshin penel malet, / E të derdhin bukuritë.

Poetja është piktore e talentuar. Me gjetjet e saj. Me fjalët e saj. Me krahasimet e saj poetike. Me metaforat. Thënë me një fjalë: me të gjitha poetizmat e saj. Peneli i hollë i poetes na çon tani te Rrapi i Libohovës. Rrapi i Libohovës. I madh. Madhështor. Fjalët e poetes: Si çadër gjigante / E çati në qiell… // Rrapi i Libohovës / Ka parë aq shumë; / Nëpër trung e guva, / Vitet rrodhën lumë … / Libohovë e bukur, / Me kryet në re. Libohova e Gjirokastrës është. Gjirokastër është. Edhe poetja, Katjusha e Gjirokastrës është. Dhe domosdo, do të pikturojë Gjirokastrën, rrugët e Gjirokastrës, Malin e Gjerë, fushën e Drinos, Cepon. Por ajo që duam të përveçojmë, është se në çdo pikturim të saj ka diçka të veçantë. Pse? Sepse ajo është vëzhgimtare e hollë. Shih vëzhgimet e saj të holla: Në Cepo është një shpellë e egër. Në Kërrabë (të Tiranës) është një mollë e lulëzuar. Reja me furtunë bëhet djep dhe e përkund. Reja është si anije që lundron a si shigjetar me harqe; Nën gju e nën sqetull / te shkëmbi thikë / Bora rri e varur / E s’dëgjon të ikë. Nën çatinë e botës, / Nën çatinë e hënës; Te krahu i avionit takohemi me retë; Në detin Tiren është bluja e thellë; në Sardenjë – hëna është ngjyrë rubini; Krakërima pulëbardhash kur ikin plazhistët; Kur luzmon bleta, trokasin dy gurë.

Në këtë Gjithësinë tonë është një vend i madh. Është Toka. Është planeti ynë. Poetja thotë: Toka është: Ajo e heshtura që flet, / Ajo e qeshura që qan, / Ajo e murrëta që ndrin, / Ajo e bukura që s’bëzan. Kjo qenka Toka. Kjo është toka. Me këto të kundërtat e saj. Kjo Tokë është e madhe. E sheh syri. E sheh më shumë mendja horizont. Po, a e dimë pse themi Toka mëmë? Sepse, – thotë poetja: Ajo na pret e na përcjell, / … Ajo na thith lotët e dhembjes, / … Kur hapim krahët e fluturojmë, / Na bën fole si dallëndyshe. Mesazhi është i madh: Duajeni Tokën! Duajeni Atdheun që është në këtë Tokë! Poetja vetë është mike me tokën (shih poezinë tjetër, “Mik me tokën”).

Nuk mund të mos bënte Katjusha poezi për mjaltin e mjaltit, për fëmijët e fëmijëve, për nipat e për mbesat. Zemrës ritmin kush ia jep? / Janë një nip edhe një mbesë. Mirëpo të dyja palët – edhe gjyshen, edhe mbesat e nipat i kaplon malli. Se kështu është jeta. Na e thotë poezia e parafundit: Nipërve larg: Kalojnë ditë dhe tjetër ngjyrë, / Merr kurbë e mallit që lëviz, / Ku je o gjyshe që rri larg?! / Ku janë përrallat me aq dritë?

Poetja është e shëtitur. Ka parë e ka njohur Anglinë, Turqinë, Italinë, Zvicrën, Sardenjën … Dhe peneli i saj na sjell edhe bukuri botërore. Dhe na tregojnë edhe sa afër janë popujt me njëri-tjetrin. Por pena e saj na sjell edhe analogji, asociacione, përngjasime, përkime mes vendesh dhe visesh. Edhe mes jetëve e njerëzve. Dhe ato na ndërlidhin shumë. Dhe na tregojnë edhe sa afër janë edhe njerëzit me njëri-tjetrin. Shih, p.sh., poezinë “Përmbi urën me dërrasa”: Përmbi urën me dërrasa, / Larg në timen fëmijëri, / Më erdhi therës si ashkla, / Ky kujtim i fshatit tim.

Çfarë na thotë poezia? Është një urë në Sardenjë. Një urë me dërrasa. Dhe si ajo në Sardenjë, ka qenë një urë edhe në fshatin e Katjushës. Dhe këto urat me dërrasa, sipër Lumit si veri, dy fëmijë me syrin jetë / Shtrëngojnë duart edhe dridhen. Dhe: Kjo fëmijëri e tyre / Me lumenjtë e vrundulluar / Mund t’i bëjë burra të fortë / Ose njerëz të mjeruar. Sepse: S’është çudi të ndodhë se ndodh, / Të japë jeta plot shuplaka, / Një më shumë është regjistruar, / Përmbi urën me dërrasa. Ndoshta, poetja nuk e di që ka ende ura të tilla. Madje, mund edhe të mos ketë diku urë dhe fëmijët e shkollës e kalojnë përruan kapërcimas ose, kur përroi është i madh e i rrëmbyeshëm, ecin më këmbë 1 a 2 orë për të kaluar atje, tek ajo ura e largët. Sepse nuk mund e nuk duan të mungojnë në mësim. Mesazhi i poetes: Bëni detyrën numër një për fëmijët! Dhe për të tjerët! Sepse detyra është pjesë e jetës.

Sigurisht, midis vendeve, viseve e popujve ka edhe veçori dallimtare. Dhe një poeteje si Katjusha, nuk mund t’i kalojnë pa u vënë re. P.sh., në sytë e poetes, në Milano, mjegulla na vjen e hajthme si jorgan, me pupla zogjsh. Në Zyrih: Si arë e lëruar, si qilim me rombe, / Ngjan në fluturimet qielli mbi Zyrih. Po bie borë në Mannedorf na vjen me peizazh të ndryshëm nga ai te poezia Sa shumë dëborë po i zbardh majat në Zyrih të Zvicrës.

Ka edhe një botë tjetër te poezia e Katjushës: Është varfëria. Është një mollë me lule në Kërrabë (Poezia: Molla me lule në Kërrabë). Kjo mollë te kodra në brinjë … / E bën të lumtur shtëpinë / … Sa mundet .. mes varfërisë. Një poezi tjetër na çon Aty ku varur rri një vorbë / Në një oxhak ku tym më s’del. Po fëmijët në rrugë, me qese thanash, kumbullash, fiqsh, bajamesh a lajthish, që zgjasin dorën ndanë rrugës, që poetes i rrinë në sy, ndërkohë që makina ikën? Ja edhe poezia tjetër me motiv popullor, “Bir, Selman i nënës”, kë të qaj më parë? Ja disa fragmente vargjesh: Dimrat ulërijnë, / Fryhet uji i lumit, / Bora nëpër pyje, / Zogjtë nuk këndojnë, / Qielli vishet gri; / Nuk u hap më reja, / Si ike më le? … / O, bir, djalë i nënës, / Ç’më duhet më jeta? / Bir, i miri i nënës, / Besën ku e ke?! / Gjumi të më marrë, / Të bie të fle, / Të më çojë e sjellë, atje ku je ti. / Bir, Selmani i nënës, / T’i puth ata sy. E ç’mund të thotë më shumë një zemër nëne? E ç’mund të thotë më shumë një nënë që ka mbetur qyqe mali? E ç’mund të thotë më shumë një nënë shqiptare? E ç’mund të thotë më shumë poetja për nënat që presin te pragu?

Tani vjen barra e rëndë që ka shoqëria për të tjerët. Dhe stigmatizimi i pushtetit. Kemi veçuar dy poezi: Poezia e parë: Na erdhi fushata. Është fjala për fushatën e zgjedhjeve, jo të korrje-shirjeve. Janë këto fushata që na sjellin ato zyrat e varfra. Poetja ka gjetur mënyrat për të stigmatizuar. Njëra ndër to është përsëritja na erdhi fushata, na erdhi fushata, me gjasë: po gëzohemi shumë …; na erdhi fushata, fjalime e karta; shihni konotacionin negativ te fjalime e karta. Poezia e dytë: “Me ca kokrra manaferre”. Këtu qortohen ashpër zyrat e shtetit e shteti i zyrave: Në një zyrë ku qahet populli me gjithë ngjyrat varfëri. Ato janë zyra sajesa për të thënë e për t’u tallur. Janë zyra llafazane, varfëruar gjer në strofull. Edhe kaq mund të mjaftonte. Jo. E kupton, – thotë poetja, – se duhet ndryshe të kërcasë serioziteti, / Hap pas hapi duhen zgjidhur (problemet), / Ndryshe, zgjidhjen bën mileti.

Jeta është si një betejë. Por beteja fitohet, nuk dhurohet. Nuk vështrohet nga bregu i valomave. Nuk hapet reja. Guxo ta hapësh. Je i mërzitur? Po mërzia, – thotë poetja, – vjen me fytyrë të qeshur. Mërzia është tinëzare. Atëherë, të jemi syhapur. Dhe këtu s’ka retorikë. Ka grishje për jetën: Ëndërro të mirën. Sepse: Vetëm ëndrra bën me krahë, / Çdo njeri në jetë. Sigurisht, jo çdolloj ëndrre, por ëndrra që të çon përpara. Jo ëndrra me sy hapur. Prandaj në poezinë “I ruhem ëndrrës” na vjen mesazhi: “E dua ëndrrën t’i besoj, / Por jo të mbes zhgënjyer.”

Në një shkrim të mëhershëm, për vëllimin “Shkruaj kohën” të Katjusha Pogaçit, kemi thënë se Katjusha do gjithnjë të ndershmen, të çiltrën, të tejdukshmen (transparenten). Prandaj shkruan: Mos më cyt të flas më shumë, / As me ledh e tinëzi, / Kam një kod me firmë e vulë, / Thjesht me emrin ndershmëri. (“Shkruaj kohën”, Tiranë, 2016, f. 52). Dhe prandaj, domosdo poetes nuk i pëlqen duka e rreme. Poezia “Floriri mbi bluzë” na e thotë këtë: Floriri mbi bluzë s’fsheh dhëmbin e prishur / Vajza me trup të vogël, akoma pa rritur / Ato xixa false që ndrisin mbi bluzë / S’e fshehin mjerimin që po qan nën buzë. Kjo dukë na kujton mollën e brengët: E kuqe duket, por e kuqe s’është. Edhe xhaketa, astarin e ka të mëndafshtë, por nën astarin e mëndafshtë është kanavacë e ashpër. Më shumë se mospëlqim e qortim, poezia është dhembje për mjerimin që po qan nën buzë. Dhe kjo lloj qasjeje e ky lloj loti vjen me shëmim, me dënesë.

Poetja brengoset edhe kur s’na vijnë miq. Sepse është njerëzore: Nuk mërzitem nga mërzia, / As nga lodhja kur më vjen; / Thikë pas shpine është vetmia, / Pragu i derës kur s’kërcet. Ne shqiptarët kemi kultin e nderit. Kultin e besës. Kultin e motrës. Kultin e mikut: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit. Thotë populli kështu. Kur vjen miku, gëzohet shtëpia. Vajtje-ardhjet largojnë vetminë. Pritja e përcjellja janë pjesë e detyrës. Le të kërcasë, atëherë pragu. Le të bjerë zilja e derës. Le të trokasë çoku i portës. Dhe … le të mos kemi… sy magjik. Poetja brengoset edhe për kështjellën e vjetër, që i tund era brinjët, por edhe ngaqë njerëzit e rrjepin nga pak. Mesazhi: Mos ia prekni gurët kështjellës!

Kemi nevojë të mësojmë moral. Poetja na mëson shumë moral: E mira është si ari. Dielli nuk soset e nuk venitet. Dhe, kur s’mërzitet e nuk venitet Dielli, pse duhet të mërzitet e të venitet gruaja? Kjo krijesa më e lartë njerëzore. Ruhu nga mërzia, nga ky helm i heshtur!, – thotë poetja. Një mjek do të thoshte = nga ky helm me veprim të ngadalshëm ose të përngadalshëm. Pyetja është një me një me Senekën – 2000 vjet më parë. Seneka thotë: Mos u mërzit; mos u zemëro!

Morali për shtëpinë dhe familjen: Edhe vetë dashuria është shtëpia ku nuk kemi ftohtë. Prandaj: Shihe shtëpinë, / E kemi në rrugë; / Dimri e ftoh, / Era e than. / Po s’e pamë ne, / Bie gurë mbi gurë, / S’ka kush e ngroh, / S’ka kush e mban.

Morali për kohën: Koha është flori për njeriun. Koha është edhe armik i njeriut. Siç është zjarri – edhe i mirë, edhe i pamirë. Poetja jonë ka dy poezi për tiraninë e kohës – për arsye të pazotësisë sonë, të shpërfilljes sonë. Ato janë: Skena e jetës dhe Merre gjithë kohën që të duhet: Merre kohën që rrjedh vrullshëm / Bëhu lumë i saj, / Nëpër breg do të t’lëkundë, / Në një breg do dalë! / Bëje kohën të këndojë / Në gishtat e dorës; / Mos e lër kohën të shkojë / Si fjollë e dëborës! Thënia dhe mesazhi janë thënë kaq tejdukshëm e kaq drejtpërdrejt: Përcjellim vitet një nga një. Dhe? S’i gjejmë dot më. Diku, pak më tej, mesazhi na vjen pak më tërthoras. Janë dy poezi të tjera, të cilat i përmendëm pak më parë. I ruhem ëndrrës dhe Mërzia vjen me fytyrë të qeshur. Dhe çfarë? Ëndrra mund të na lërë të zhgënjyer. Sidomos ëndrrat me sy hapur. Atëherë: Mos e lër kohën të shkojë, / E të bëhet dhembje. Është grishje për jetën.

Në poezitë e Katjushës shkëlqejnë portretet e portretizimet. Do të përveçojmë një poezi: Ata që mbarështojnë kopetë: Ata që mbarështojnë kopetë / Janë komandantë, jo thjesht barinj. Sepse i pret lufta… / Me borë e mal e lukuni. Lukunia janë ujqit e çakenjtë. Të dyja krijesat hanë e copëtojnë. Çakalli, ndoshta më shumë, sepse populli thotë: Ujkut i ka dalë nami, po çakalli bën kërdinë. Dhe populli e di mirë atë që thotë. Edhe poetja e di mirë atë që thotë. Vargjet e saj kanë tekstin. Me siguri, edhe nëntekstin.

Ja edhe një fragment poezie që na çon te portretizimet: Laj e laj e s’ka të sosur, / Ndryshe s’je nga Gjirokastra, / Ku s’mënojnë të rrjedhin ujërat, / Mbi kalldrëmet aq të pastra. Sikur të na pyesnin “për kë është ky fragment?”, pa u menduar gjatë, do të thoshin: Për gruan e vajzën gjirokastrite. Gjirokastra është modeli i pastërtisë.

Portrete të tjera? Njeriu me gjemba. Njeriu me gjemba është si iriqi. Kujton se e mbrojnë gjembat. Dhe? Dhe është frikacak. Mos na rëntë për hise!

Poetja shkruan vargun. Bashkë me vargun shkruan veten. Dhe e kërkon shumë vargun. Kur s’e gjen e s’e sheh dot, i fryn si erë, edhe e ndien. Kur e gjen e është me të, e mbështjell ky vargu dhe e ngroh gjer në thua. Thëniet janë perifrazime nga poezi të Katjushës.

Nga vëzhgimet tona, kemi parë kujdesin e saj të spikatur letraro-artistik e gjuhësor për zgjedhjen e fjalës e të frazës. Ky kujdes i spikatur është pjesë e stilit të saj letraro-artistik. E themi bindshëm këtë sepse kemi lexuar edhe vëllimet e tjera poetike të saj. Madje, edhe krijime të tjera të saj. Në rastin konkret, e kemi fjalën për vëllimin e tanishëm poetik “Jetoj për ty”.

Sigurisht, poetit ia do puna të kërkojë a të krijojë krahasime e metafora letrare. Dhe Katjusha e ka bërë mjaft mirë këtë. Shih, p.sh.: Qiell pa re: qiell pa re është mbesa; Cepi i syrit i lakuar, / Si kometë me bisht; Syrin diell, hënën vetull / Përmbi ballë i ngre; Sy e diell, hënë e vetull / Shpojnë si shigjetë; / Hidhe grindjen tutje, / Si një rrobë e vjetër; / Trumba e bletës – yll me bisht; / Si re e hirtë diellin ta zë; / Si gur i larë në shtatë dete; / Fjala si kurorë / Heshtja si zambak; / Nën çatinë e borës; Nën çatinë e hënës; Nën gju të shkëmbit; Nën sqetull të shkëmbit; kuit era (siç kuit qeni); takohemi me retë (siç takohemi me shokun); gurgullimë me shije gurre

Një ndër zhvillimet e pasurimet gjuhësore-leksikore është rikuptimësimi i fjalëve. Në poezi – rikuptimësimi prejardhjesor metaforik. Katjusha e ka këtë dije edhe e shfrytëzon mjaft mirë. Vetëm një shembull. Për poeten nuk është e hajthme vetëm një vajzë. Është edhe mjegulla: mjegull e hajthme.

Katjusha është mjeshtre për krijimin e fjalëve të reja – krejt sipas rregullave e modeleve fjalëformuese të gjuhës standarde. Dhe, nga krijime individuale me vlerë letrare potenciale, ato mund të kthehen në njësi me vlerë letrare reale e të hyjnë në gjuhën e përbashkët letrare. Kësisoj, i bëhet një shërbim i madh gjuhës kombëtare. Shih, p.sh.: diellndritur: majë e bardhë e diellndritur; fytyrëmërzitur: një personazh fytyrëmërzitur; fluturz: veç deti veshur fluturza të kaltra; baltor: fajanca e bardhë baltore; zukamtar: bleta zukamtare; vetmuar: nga pak do qaj vetmuar / si shi pa re; rruzullon: rruzullojnë kokrrat e hurmave në degë; lumon (= vjen a shkon si lumë): fjalë që lumojnë e shkrihen si yje.

Në një poezi të saj, autorja thotë: Në s’jam në tokë, / Do jem në qiell. Në qiell – me avion; në tokë – me makinë, me tren a më këmbë. Ne do të shtojmë: Edhe me tërë sjelljen e saj dinjitare. Edhe me poezitë e saj të bukura. E përgëzojmë përzemërsisht. Dhe presim përzemërsisht vëllime të tjera poetike. Për çdo vit nga një. Dhe kemi kaluar nga viti 2013 e jemi te viti 2014.

Nuk mund ta mbyll këtë shkrim, pa thënë që Katjusha është ish-nxënëse e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Unë kam qenë mësues. Atëherë – nxënëse e shkëlqyer. Tani është poetja, gazetarja, kritikja letrare, redaktorja, studiuesja. Tani e ka tejkaluar aq shumë mësuesin. Mu për këtë gëzohem shumë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →