“Këto ditë do të ulem për të biseduar me detaje për ndërtimin e skuadrës së Burrelit për edicionin e ri futbollistik”. Kështu u shpreh për gazetën “Panorama Sport”, numri një i klubit matjan, Marjan Lleshaj.
Me emërimin e Ditmar Bicit në krye të pankinës matjane, sipas sekretarit të klubit Lleshaj, mësojmë se skuadra matjane ka të ngjarë të ketë një profil ndryshe nga ai i vitit të kaluar, që luftoi deri në javën e fundit qëndrimin në Kategorinë e Parë. “Sezoni i ri futbollistik do të jetë ndryshe nga edicioni që lamë pas. Po punojmë për ndërtimin e një skuadre pretendente. Ky sezon futbollistik do të jetë edhe më i vështirë se ai i kaluari. Nisur nga ky fakt, menduam që punën për ndërtimin e skuadrës për edicionin 2024-2025 ta nisim më shpejt se vitin e kaluar”, tha mes të tjerash numri një i ekzekutivit matjan, Marjan Lleshaj.
Në fund të prononcimit të tij, sekretari i klubit ndalet edhe te puna e trajnerit Klevis Hima, që sipas tij ndarja me laçianin ka qenë miqësore dhe puna që ka bërë në skuadrën ka qenë e vlerësueshme. “Ndarja me trajnerin Hima ka qenë miqësore. Për kohën që punuam së bashku, ai mori përsipër një mision të vështirë. Me këmbënguljen e tij arritëm të mbyllim një sezon me ulje-ngritje duke përmbushur objektivin, qëndrimin në Kategorinë e Parë”, e mbylli sekretari Lleshaj. Opinioni sportiv i qytetit të Burrelit po pret me shumë interes formatimin e skuadrës për edicionin e ri. Ndonëse shtatori, muaji i fillimit të kampionatit duket larg, lëvizjet e bëra aktualisht nga drejtuesit e klubit, japin sinjale pozitive se Burreli në sezonin e ri do të ketë një fytyrë tjetër, që pritet të përkthehet edhe me rezultate më të larta.
NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co