Prej dekadash ka nisur një “luftë” për barazi gjinore, për trajtimin e grave dhe burrave njësoj në çdo sferë të jetës. Koha po tregon se edhe në Shqipëri ky hendek po kapërcehet pak e nga pak duke nisur nga profesionet më të lehta e deri tek ato më të vështira.
Nëse vite më parë nuk konceptohej që vajzat të drejtonin makina, aq më pak të mësonin të tjerët, në Shqipëri kjo gjë ka ndryshuar. Gratë jo vetëm që drejtojnë makinat e tyre, por kanë marrë iniciativë që të drejtojnë autoshkolla, duke dhënë leksione në teori, por edhe instruksion të drejtimit të makinës në praktikë. Një prej tyre është Lumturie Pepa, e cila përveçse një qitëse profesioniste, mori iniciativën që të drejtojë një autoshkollë, dhe të mësojë kursantët se si të drejtojnë mjetin. Në autoshkollën ku 90% e nxënësve janë vajza, Tisela dhe Arjana tregojnë se sa i vështirë, por edhe i bukur është profesioni që ato ushtrojnë, në mësimin e kursantëve për teorinë dhe praktikën.
Taksiste grua pak vite më parë do të dukej tabu në Shqipëri. Por sot mos u habisni nëse në drejtimin e taksisë suaj do të jetë një grua. Niki e diplomuar për ekonomik, pasionin e saj për makinën, e ka kthyer në profesion të dytë. Ajo na rrëfen se si falë shtysës së të motrës, nga një shofere e familjes, por dhe e të afërmve, vendosi që përtej frikës së paragjykimeve, të ofronte shërbimin e saj si taksiste në çdo cep të Shqipërisë.
Vajza tregon momentet e sikletshme, kur klientët stepen të hipin në taksi kur shohin një vajzë në timon. Por, më vonë falë qetësisë dhe besimit që iu krijon, bëhen klientë të rregullt të taksisë së Nikit. 27-vjeçarja ka dhe një mesazh për të gjitha ato vajza të cilat nuk ndjekin pasionin, nga frika e paragjykimeve që hasin gratë, për disa profesione në Shqipëri.
[embedded content]
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co