Janë publikuar pamjet nga momenti kur 4 të rinj dhunojnë brutalisht avokatin Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure (29 maj).
Siç shihet në këto pamje të siguruara nga gazetari Igli Çelmeta, avokati qëndron në derën e kopshtit, ku sapo kishte lënë fëmijën.
Ndërkohë personat afrohen dhe e qëllojnë, duke rrëzuar në tokë avokatin Mëngjesi. Edhe pse avokati qëndron i shtrirë, tre personat vazhdojnë ta qëllojnë me shqelma.
Pranë ndodhet edhe një edukatore, e cila shihet që largohet me vrap.
Autorët
Autorët e sulmit janë Dorian Alia, 32 vjeç, i cili është vetëdorëzuar në Polici, Drivald Alia, 21 vjeç, Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, dhe Romario Tabaku, 26 vjeç. Ky i fundit ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT.
Përveç 4 autorëve të identifikuar policia ka ndaluar me iniciativë edhe organizatorin e këtij sulmi, Dritan Nano 58 vjeç.
Po ashtu policia vë në dispozicion 20 mijë euro kush jep informacion që cojnë në kapjen e tyre.
DHUNA PER SHKAK TE DETYRES
Sipas Vocajt, avokati Sokol Mëngjesi është dhunuar nga 4 personat për shkak të detyrës.
“Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë. Proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar nga ai. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me studion ligjore.
Është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano 58 vjeç banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciative, i dyshuar si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale”, tha Vocaj.
AUTORET NUK JANE TË PAGUAR
Sipas Vocajt, autorët nuk janë të paguar, por ata kanë lidhje krushqie me njëri-tjetrin.
“Autorët nuk janë të paguar por autorët janë në lidhje krushqie me njëri tjetrin. Janë takuar një muaj më para, para se të ndodhte ngjarja dhe janë konsultuar për ngjarje” tha Vocaj.
Vocaj sqaroi edhe itinerari që ndoqën autorët pas ngjarjes: “Pas ngjarjes, autorët janë ndarë dhe kanë lëvizur në dy drejtime. Njeri ka lëvizur me një Audi, ndërsa autorët e tjerë kanë marrë një taksi dhe kanë shkuar në zonën e Astirit”.
NJOFTIMI I DREJTORIT TE POLICISE TIRANE
Jam sot këtu për të bërë me dije opinionin publik për masat e marr nga ana e Policisë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme më datë 29.05.2024, rreth orës 08:50, ku në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Pjetër Bogdani”, tre persona kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mëngjesi, 45 vjeç, banues në Tiranë, me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan punën policore për marrjen e informacionit mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje, ku nga tërësia e veprimeve gjurmuese dhe precedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje kriminale, konkretisht shtetasve:
– Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vetëdorëzuar në Polici;
– Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë;
– Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
– Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç, banues në Tiranë (i cili ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT).
Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të dëtyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”.
Po në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano, 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciativë i dyshurar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publik”, mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 79/a dhe 22 të Kodit penal.
Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, vazhdojnë operacionin për kërkimin, lokalizimin dhe kapjen e katër personave të shpallur në kërkim.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon ndihmën e publikut për lokalizimin dhe kapjen e autorëve dhe për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorëve vë në dispozicion shumën prej 20 000 Euro, informacioni mund të jepet në numrin telefonik pa pagesë 112 si dhe në numrin celular +355694111546 (Informacioni mund të jepet në telefon ose WhatsAapp).
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co