Integrimi, Presidentja sllovene mesazh politikës: Zgjidhini me kompromis çështjet e vështira para se të hyni në BE! Jemi me ju

integrimi presidentja sllovene mesazh politikes zgjidhini me kompromis ceshtjet e veshtira para se te hyni ne be jemi me ju































VALENTINA MADANI/ Zonja Natasa Pirc Musar prej dy vitesh është gruaja e parë që u zgjodh si Presidente në Slloveni. Musar ishte gazetare dhe avokate derisa kandidoi si e pavarur me mbështetjen e qeverisë së qendrës së majtë të Sllovenisë për postin e kryetares së shtetit slloven. Më datën 23 maj, zj.Musar ishte në Tiranë nga ku u shpreh e bindur se Shqipëria do jetë gati për integrimin në Union deri në vitin 2030.

presidentja sllovene

Pas kësaj vizite, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, Presidentja sllovene flet për progresin që pa në Shqipëri, si dhe detyrimet që ka vendi ynë ndaj BE-së për procesin e integrimit. Zj.Musar i kujton Tiranës zyrtare se marrëdhënia me Unionin është e dyanshme: “shtetet duhet t’i arrijnë standardet e BE-së, t’i përmbushin disa reforma të caktuara dhe t’i respektojnë marrëveshjet sipas parimit ‘pacta funt servanda’”. Gjatë këtij procesi, Natasa Pirc Musar premton se vendi i saj do të jetë një mbështetje e Shqipërisë për integrimin në BE. Natasa Pirc Musar apelon për arritjen e standardeve të BEsë, përmbushjen e reformave integruese dhe respektimin e marrëveshjeve. “BE-së i duhet një Shqipëri stabile”, – thotë Presidentja e Sllovenisë.

Zj.Presidente, Sllovenia është ndër shtetet më aktive që mbështet integrimin evropian të Shqipërisë, por edhe integrimin e rajonit si tërësi. Ju keni vizituar të gjitha shtetet e rajonit (ishJugosllavisë), për ta vlerësuar atmosferën politike dhe shoqërore në rajon, së fundmi edhe në Shqipëri. Si e shihni situatën në Ballkan, cilat janë problematikat e përbashkëta të rajonit?

Është e vërtetë, kam vizituar shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është shteti i fundit në listë, por duhet theksuar se ishte pikërisht kryetari i Shqipërisë, Bajram Begaj, i pari nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, që erdhi në vizitë zyrtare në Slloveni, pas ardhjes sime në postin e kryetares së shtetit, në dhjetor të vitit 2022. Mund të them se gjithandej ndihet dëshira që të bëheni pjesë e familjes evropiane. Në shtetet anëtare këtë duhet ta kemi të ditur dhe ta vlerësojmë dëshirën tuaj për t’u bërë pjesë e bashkësisë sonë unike. Marrëdhënia është e dyanshme: shtetet duhet t’i arrijnë standardet e BE-së, t’i përmbushin disa reforma të caktuara dhe t’i respektojnë marrëveshjet sipas parimit ‘pacta funt servanda’, por njëkohësisht Bashkimi Evropian (bashkë me shtetet e veta anëtare), si udhëheqëse qëllimmirë dhe me përvojë, duhet t’u ndihmojë këtyre shteteve me shembullin e vet. Vlerësoj se një marrëdhënie e tillë më e ngrohtë e BE-së do të ishte një motivacion i rëndësishëm për shtetet në procesin e integrimit. E kemi parë se në rajon ka probleme që na përkasin të gjithëve pa përjashtim. Para së gjithash, janë çështjet për të rinjtë dhe ndryshimet klimatike. Ju vetë mund ta shihni se sa njerëz, kryesisht të rinj, shpërngulen nga ky rajon, ngaqë nuk shohin perspektivë të madhe. Dhe, sa u përket ndryshimeve klimatike, të gjithë mund ta vërejmë se çfarë dëmi na shkaktojnë ato që në këtë moment. Lidhur me këtë, me kryetarët kemi diskutuar në mënyrë intensive në takimin e fundit Bërdo-Brioni në Maqedoninë Veriore. Në nivelin e kryetarëve për herë të parë në historinë e takimeve e kemi ekspozuar këtë temë. Jam e mendimit se ky është një sinjal tejet i mirë për qeveritë në rajon, se duhen kontrolluar politikat e deritashme në këtë fushë dhe të mendohet për prioritetet e tjera. Sigurisht se këto janë prioritete, të cilat asnjë shtet në rajon a më gjerë, nuk duhet dhe nuk mund t’i lënë pas dore.

Të ndalemi në rastin e Shqipërisë. Sllovenia ka shprehur mbështetjen ndaj vendit tonë në integrimet euroatlantike. Si mund të bëhet nxitja e proceseve politike në Shqipëri në drejtim të përparimit sa më të shpejtë drejt BE-së?

Po, Sllovenia është ndër shtetet më aktive, që mbështesin integrimin evropian të Shqipërisë, por edhe integrimin e rajonit si tërësi. Sa i përket dinamikës së lidhshmërisë, është vështirë të shqyrtohen të gjithë faktorët që ndikojnë në këtë dinamikë në një moment të caktuar. Gjithnjë ekzistojnë çështje të vështira, që duhet zgjidhur dhe për të cilat nevojiten kompromiset. Në fund të fundit, gati secili shtet kandidat, edhe Sllovenia, kishte përvoja me fusha të komplikuara, që iu desh t’i zgjidhte para se të hynte në BE. I tillë është realiteti, të thuash, që nga vetë fillimet e zhvillimit të Bashkimit Evropian. Por, ajo që dëshiroj ta theksoj është – sa më parë, aq më mirë. Lidhja e Evropës pa Ballkanin Perëndimor nuk është lidhje. Për këtë duhet të vetëdijesohen të gjithë, Brukseli, qeveritë e shteteve anëtare dhe qeveritë e shteteve kandidate. Ky është mesazhi im për të gjithë udhëheqësit shtetërorë nga rajoni dhe nga shtetet e BE-së, me të cilët takohem: të gjitha shtetet duhet të jenë të motivuara maksimalisht për t’u bërë shtete anëtare të BEsë dhe gjatë kësaj, secili duhet ta kryej detyrën e vet. Kriteret për bashkëngjitje BE-së janë të qarta dhe çdo shtet duhet t’i plotësojë ato, edhe Sllovenia i ka plotësuar. Kuptohet, secili shtet ballafaqohet me probleme dhe dilema, që janë karakteristike vetëm për të dhe për këtë arsye duhet t’i zgjidhë vet. Partnerët – shtetet fqinje, gjegjësisht institucionet e BE-së këtu vetëm mund të ndihmojnë. Mirëpo, posaçërisht sa i përket Sllovenisë, njohuria themelore që e kemi fituar gjatë procesit të hyrjes në BE është se procesi i integrimit dhe negociatat janë afatgjata dhe kërkojnë durim të madh, por njëkohësisht janë dialog i pazëvendësueshëm ndërmjet BE-së dhe shtetit, që synon të bëhet pjesë e BE-së.

Si e shihni ju kontributin e Shqipërisë lidhur me stabilitetin…?

Në rrethanat e sotme të pasigurta politike, për stabilitetin e vet, BE-së i nevojitet një Shqipëri stabile. Përçarje dhe shmangie nga rruga e trazuar e procesit të integrimit evropian, që është një bashkësi ekonomike dhe sa më shumë të jetë e mundshme, edhe politike, thjesht nuk duhet të ketë. Kjo, kuptohet, vlen edhe për Ballkanin Perëndimor si tërësi. Ndjenja e “harresës”, apo e mosinteresimit për integrim në Union mund të çojë deri në zgjerimin e jostabilitetit si dhe ftohjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndërfqinjësor. Sa më i përçarë të jetë rajoni i Ballkanit Perëndimor, më e madhe do të jetë mundësia e qasjeve të shteteve për ndikime të ndryshme, edhe të atilla që nuk kanë qëllime të sinqerta. Dhe këtu e shoh një hapësirë për një histori pozitive që mund t’ia japë Shqipëria procesit integrues evropian. Nuk është e rastësishme, që pikërisht në Tiranë keni hapur shkollën e tretë të “College of Europe” – krahas asaj të Bruggeut dhe Natolinit. Një projekt aq i ndërlikuar mund t’i besohet vetëm e vetëm një shteti, që ka një ambicie të qartë për t’u bërë aktor i Evropës stabile dhe progresive.

Si do të reflektojë vizita juaj në Shqipëri në marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet dy shteteve?

Sllovenia dhe Shqipëria janë dy shtete mike, që kanë shumë pika të përbashkëta. Na lidh para së gjithash respektimi i vërtetë i njerëzve që jetojnë këtu dhe atyre bashkëkombësve tuaj që e kanë gjetur shtëpinë e vet të re, shtetin tonë. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve janë tejet të mira dhe besoj se këto vizita vetëm do t’i forcojnë ato. Edhe raporti e bashkëpunimi im me kryetarin e Shqipërisë, Bajram Begajn, është i shkëlqyeshëm, për shumë çështje të hapura kemi mendime të ngjashme. Mirëpo jam e mendimit se ka disa mundësi të tjera për përparim në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Në të vërtetë ka shumë mundësi.

Si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së jeni shprehur qartësisht kundër luftës dhe dhunës në Gaza. A e mbështesni edhe njohjen e shtetit të Palestinës?

Absolutisht e mbështes. Që në kohën e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale, kur isha kandidate për kryetare, publikisht e kam mbështetur njohjen e Palestinës. Shumë herë në deklaratat, paraqitjet publike dhe intervistat e mia kam tërhequr vërejtje lidhur me dhunën dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut të njerëzve të pafajshëm, para së gjithash të fëmijëve, grave dhe civilëve në Palestinë. Ndaj këtyre ngjarjeve kurrsesi nuk mund të mbetem indiferente, për këtë arsye sërish apeloj për paqe dhe përfundim të konflikteve luftarake. Zgjidhja paqësore e konflikteve është mënyra e vetme e drejtë për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies për të gjitha palët në konflikt. Lidhur me këtë temë, me nismën time, kam diskutuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, madje pas sulmeve të ashpra ndaj tij për shkak të qëndrimeve që i ka shprehur lidhur me ngjarjet në Gaza. Ndërkaq, në kuadër të konferencës COP 28, në dhjetor të vitit 2023, kam biseduar në këtë temë edhe me kryetarin e Izraelit, Isaak Herzog. Me këtë rast, posaçërisht po e theksoj se njohja e Palestinës kurrsesi nuk do të thotë çfarëdo njohjeje e organizatës terroriste Hamas. Tërë bota ishte në ankth, kur u bë sulmi mbi fëmijët, prindërit dhe pleqtë izraelitë. Këtë sulm e dënoj më së ashpri. Bashkësia ndërkombëtare më në fund duhet të unifikohet në tentativat për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Veto do të duhej përdorur për misionin e dinjitetit njerëzor, të të drejtave themelore të njeriut, për garantimin e parimeve humane e jo nga pozita e fuqisë dhe interesave të thata politike, atëherë kur civilët e pafajshëm janë vetëm dëm kolateral. Nuk do të duhej të ishin! Shumë njerëzve lufta u ka shkatërruar gjithçka – ardhmërinë, përparimin, jetën me dinjitet njerëzor, e më se 35.000 veta e kanë paguar me jetë. Kjo nuk është bota që e do shumica, kjo nuk është bota që e dua unë. Është koha e fundit t’i heqim fiqtë nga xhepat, (Frazemë sllovene, të bëhemi të sinqertë, të mos shtiremi)që prej fjalëve të keqardhjes dhe dënimit, të kalojmë në vepra.

Shqipëria bën pjesë në grupin e shteteve që kanë menduar ose mendojnë për ndërtimin e centralit bërthamor. Sllovenia duket e vendosur që ta ndërtojë centralin e ri bërthamor. Si e shihni energjinë bërthamore si energji e së ardhmes?

Shumë herë e kam shprehur publikisht dhe qartë bindjen time – se jam për energji bërthamore, e shoh si pjesë të së ardhmes energjetike. Por, shpesh edhe kam theksuar – herën e fundit pikërisht para disa ditësh – që secili projekt duhet të jetë maksimalisht transparent. Për një shtet me burime dhe buxhet të kufizuar, para së gjithash duhet menduar se a mund t’ia lejojmë vetes centralin tonë vetanak. Nuk guxojmë të harrojmë: centrali i tanishëm në Kërshko ishte i destinuar për nevojat e Jugosllavisë së atëhershme njëzetë milionëshe. Buxheti ynë vjetor është 15 miliardë, përafërsisht aq kushton një central i ri bërthamor – e zakonisht secili ndërtim bëhet edhe më i shtrenjtë. Pra, investuesi duhet t’i tregojë qartë opinionit slloven se çka paguan dhe çka përfitojmë nga kjo. Centrali bërthamor po apo jo, nuk është vetëm pyetje profesionale. Para së gjithash, kjo është pyetje për kuletat tona, ngase për realizimin e projektit do të paguajmë ne, tatimpaguesit… shumë vjet rresht.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →