NGA EDISON YPI
Po udhëton diku. Jo në Sauk, Ndroq, Pezë, Tapizë. Këto janë afër o të shpëlaftë mortja që gjithmonë të vete mendja te gjëra të kollajta.
Larg o larg: Theth, Pukë, Devoll, Zavalinë, Gramsh, Skrapar, Leskovik, Këlcyrë.
Kur befas, përballë anës udhës, sheh dikend. Mos e paragjyko kurrsesi. Njerëzit anës udhës janë të gjithë leonarda, shekspira, hamleta, makbetha, krishta, muhameta, buda, konfuca.
Burrë, grua, nëpunës, punëtor, klerik, ushtarak: njerëzit anës udhës janë aq të mrekullueshëm sa e meritojnë t’u shërbesh si skllav.
Hallexheshë me shkarpa në kurriz ku ma gjen.
Gjyshe duke tëhollur lesh me furkë, është flori.
Çoban me nagaçe në brez, bujk me shat në sup ose drapër në brez, nuk kanë të paguar.
Mos refuzo asnjë nga shenjtorët që të dalin befas anës udhës. Janë secili një thesar.
Bindju Mbretit të udhës. Ngulja sytë që larg Fatit që befas t’u faneps. Hidhja rrezen e vështrimit si kubojsat lakun e litarit kalit të hazdisur. Mblidhja ngadalë litarin rrotull qafës. Kur të jetë afruar, ndale makinën. Shtrëngoja edhe një herë për siguri lakun e kaubojsit.
Tani s’ka ku ikën.
Mos e fik motorin.
Mos e përshëndet.
Sakën se e pyet a je mirë, si i ke nga shtëpia, çiliminjtë mirë, nënë e babë mirë, dhe të tjera hipokrizira. S’je Doktor, je udhëtar.
Muhabetin me Shenjtorin nise me një rrebesh fjalësh. Bërtiti sa më fort, por pa të keq.
-Më kanë thënë, thuaji, se në këtë katund ka thesare të fshehur nën tokë në sepete me flori dhe bizhuteri si te Konti i Montekristos. E kam me vete metal-detektorin. Bashkë do gërmojmë, bashkë do i ndajmë verdhushkat. Gjysmat ti, gjysmat unë. Ç’të mbetet, për budallenjtë.
Ose pyete:
-Hë mo, ç’thonë krimet brenda familjes ? A po e therni dhe shkoni në hell njëri-tjetrin ?
Mos e lër pa e pyetur edhe për ndonjë rast etimologjie folklorike si ky:
-Pse fjala angleze “Dick” rrjedh nga fjala shqipe “Rrush”?
Dhe të tjera si këto, ça të vijë në mendje.
S’ka rëndësi se prej të bërtiturave të tua tjetrin do e zënë drithmat, do qajë apo do qeshë, do zbutet apo do egërsohet. Rëndësi ka të kënaqesh duke këmbyer dy llafe muhabet. Jo me një buçe televizive nga ata që janë ngjizur në kavanoz, por me një njeri të vërtetë si e ka fal Zoti prej mishi dhe gjaku.
Tjetri do thotë me vete: Obobo ku rashë te ky i çmendur.
Le të thotë. S’ka problem. Je brenda një strategjie. Bërtitja jote ka një qëllim të paracaktuar. Si Nastradini që, për t’i dalë para çdo prapësie, çunin e rrihte paraprakisht. Me shiun e pyetjeve të tua, po nxjerr nga tjetri të vërtetën lakuriq.
S’ka stil më të efektshëm për të mbaruar punë shpejt e shpejt.
Kohëzgjatja e këtij operacioni komunikativ, nga hedhja e lakut deri kur tjetri ta ketë marrë veten nga torollepsja artificiale, varet nga disa faktorë si; kushtet e motit, vendndodhja, stina, klima, sepetet e floririt, armët dhe municionet e fshehura, shtëpive e braktisura, krimet brenda katundit etj..
Ata nga veriu, Mirditë, Pukë, Burrel, Rubik, Kukës, Tropojë, lakun e kaubojsit e durojnë pak, deri në 1 minutë. Me ata mos e zgjat më tepër se shkon të gjesh të verdhin, por gjen belanë.
Këta nga jugu e durojnë lakun më gjatë, deri në 4 minuta. Bën përjashtim kolonjari. Me atë mos e bëj këtë lojë. Është non-stop në delir pozitiv.
Përjashtim bën Kosova. Në Kosovë, me shpëtimtarin anës udhës mund të flasësh pa problem deri në 10 minuta. Po e zgjate, gjej brimë e futu.
Në ç’marrëdhënie janë me këtë fenomen italianët, amerikanët, anglezët, gjermanët ? S’e kam eksperimentuar.
Pasi je llafosur pak, por me rendiment të lartë, vjen shpejt një moment kur viktima bëhet esëll.
Kavjes i del narkoza, i shterret torollepsja, bëhet real, banal, analog, primitiv, nis e thotë kodra pas maleve.
S’ke mundësi, dhe as leverdi, të vazhdosh.
Futi marshin. Ik tutje tako të tjerë limona për t’i shtrydhur, stafidhe për t’i përtypur, dardha për t’i kafshuar, fiq për t’i kullufitur.
Po të ndahesh i lumtur me atë që sapo u ndave anës udhës, nuk do e harrosh për tërë jetën. Përndryshe, litarin e kaubojsit nuk e hodhe në mënyrën e duhur, plugun nuk e ngule thellë, limonin nuk e shtrydhe si meriton. Shkurt, dështove. S’u bë qameti. Ment për herë tjetër.
Ama nëse çdo lëvizje e bëre korrekt, s’ka shans të dali ters. Në të gjitha variantet do jesh i fituar. Muhabet më të këndshëm dhe më mbresëlënës se me shenjtorin anës rrugës nuk e bën dot me askënd, as në ëndërr.
Llafosja me madhështorin anës udhës është kënaqësia më e madhe e jetës. Përmes tij ke hyrë në indin, në qelizën, në kockën, në palcën e Njeriut. Ke mësuar si funksionon jeta, bota, Universi, Multiversi.
Dhe ka efekte kuruese të mahnitëse:
Gjallëron shqisat, shikimin, dëgjimin, nuhatjen. Forcon gjymtyrët, kockat, organet, zemrën, mushkërinë. Largon rreziqet nga sëmundjet. Zgjat jetën.
S’ka gjë më interesante se të llafosesh pak minuta me një të panjohur anës udhës.
Anonimi anës udhës është Mbreti i kënaqësisë së zhvendosjes.
Po nuk i zbatove rregullat e mësipërme, fajin e ke vet. Je i sëmurë. Vuan nga “Sindroma e Hamletit”. Nuk guxon të ndryshosh asgjë nga frika se mund të përballesh me rreziqe të tjera. Do mbetesh një qyqar mendjengushtë, mburravec, meskin, cinik, negativist, mizantrop, depriment, që s’i duhesh as dreqit. Po s’u llafose me ata anës udhës je një i vdekur i pakallur.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co