Mungon vetëm java e fundit për të ulur siparin e La Ligas spanjolle, ndonëse që tani është ora që të nisin të bëhen edhe bilancet financiare se çfarë do të mund të arkëtojnë 20 klubet pjesëmarrëse të sezonit 2023-2024. Dhe si për ironi të fatit, në javën e fundit të kampionatit, nuk ka asnjë verdikt që mund të ndryshojë, duke qenë se nga Liga e Kampioneve e deri te tri skuadrat e rëna nga kategoria nuk mund të ndryshojë më asgjë.
Diçka e tillë kishte ndodhur vetëm dy herë më parë në historinë e La Ligas, konkretisht në sezonet 1930- 1931 dhe 2017-2018. Por ato që mund të ndryshojnë janë milionat duhet të ndajnë ekipet, edhe pse në këtë aspekt, të vetmet skuadra që mund të fitojnë ndonjë milion më shumë apo të humbin ndonjë të tillë përfshijë ato klube që renditen mes vendit të 10 (aktualisht Alaveshi) e deri te e 17-ta (aktualisht Majorka).
VIJNË MILIONAT- Përsa u përket fitimeve, të paktën për klubet e mëdha si Reali i Madridit dhe Barcelona, nuk janë paratë që vijnë nga të drejtat televizive ato që mbajnë peshën e tyre më të madhe të buxhetit. Ai për këtë sezon është 1 miliard e 500 milionë euro, nga të cilat mbeten 1 miliard e 373 milionë për t’u ndarë mes 20 skuadrave, duke qenë se sipas legjislacionit të sportit spanjoll, 8.5 për qind e 1.5 miliardshit, ose e thënë ndryshe 127 milionë euro do të shkojnë si ndihmë për futbollin jo profesionist, por edhe për disiplina të tjera sportive.
Ndërkohë, lidhur me 1 miliard e 373 milionë eurot, ato ndahen në varësi të pozicioneve që zënë, duke qenë se çdo shkallë e renditjes ka një përqindje të caktuara të parave dhe natyrisht që Reali i Madridit, kampion i Spanjës sivjet, do të fusë në xhep 17 për qind të shumës, e thënë ndryshe 143 milionë euro, ndërsa Barcelona, e dyta, do të faturojë 130 milionë. Girona e mrekullive, e cila pozicionohet në vendin e tretë i takojnë 118 milionë, ndërsa Atletiko do të fusë në xhep 106 milionë, duke kompletuar kështu fitimet për zonën Champions. Ndërkohë, dy skuadrat që do të shkojnë në Ligën e Europës, Bilbao e vendit të pestë dhe Sociedadi i gjashti do të arkëtojnë respektivisht 93 dhe 81 milionë euro.
Betisi që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Konferencës do të kënaqen edhe me 68 milionë euro, ndërkohë që Vijareali, skuadra e parë jashtë kupave të Europës do të fitojë 59 milionë. Ndërkohë kuota e fitime vazhdon të zbresë nga vendi i nëntë që mbahet nga Valencia (56 milionë) e deri të 39 milionët e ngushëllimit të Almerias, skuadrës që mbyll renditjen e La Ligas.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co