Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë, dialogu midis rregullatorëve dhe platformave kryesore online, të organizuar nga Rrjeti Frankofon i Rregullatorëve të Medias (REFRAM).
Gjatë punimeve të ditës së parë të Konferencës së organizuar në Abixhan, në Bregun e Fildishtë, Krasniqi ka drejtuar panelin me temë, “Iniciativat shumëpalëshe të së ardhmes, për rregullimin e platformave të mëdha”. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UNESCO-s dhe të përfaqësuesve të lartë të rregullatorit belg, anëtarë të bordit ekzekutiv të rregullatorëve të BE-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në këtë panel, në fjalën e saj Krasniqi është përqendruar në Udhëzimet e UNESCO-s, duke çmuar se për platformat numerike online, (Google, META, TikTok, X), është i duhur propozimi që rregulloret e tyre nuk duhet të ndërhyjnë drejtpërdrejt në përmbajtje specifike, por të fokusohen në proceset që platformat përdorin për të menaxhuar përmbajtjen. Kjo qasje ndihmon në shmangien e censurës, ndërkohë që siguron që operacionet e platformave të përputhen me standardet e të drejtave të njeriut. Ajo vlerësoi rëndësinë që këto Udhëzime i kushtojnë transparencës dhe llogaridhënies në kërkesat për platformat për të bllokuar ose hequr përmbajtjen, duke siguruar që këto kërkesa të justifikohen dhe të përputhen me parimet e të drejtave të njeriut.
UNESCO po zhvillon në mënyrë aktive udhëzime që synojnë rregullimin e platformave online me fokus të fortë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe parandalimin e shpërndarjes së përmbajtjes së dëmshme, duke mbështetur ende informacionin e saktë dhe të besueshëm.
Në Abixhan, anëtarët e REFRAM, ACRAN, përfaqësues të platformave kryesore numerike si, META, TikTok, X, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe hapësirave të integruara rajonale, kanë shkëmbyer përvojat dhe zhvillimet më të fundit në rregullimin e platformave online në dritën e modeleve dhe iniciativave të reja rregullatore që po ndërmerren, siç është Rregullorja Europiane e Shërbimeve Dixhitale e tetorit 2022, e njohur më mirë me akronimin DSA (Digital Services Act), që është edhe instrumenti i parë, ligjërisht i detyrueshëm që adreson këto sfida në nivel rajonal. DSA hyri në fuqi në shkurt 2024.
Një tjetër dokument i rëndësishëm janë edhe Parimet e Drejtimit të Platformave Digjitale, të hartuara nga UNESCO në vitin 2023, të cilat synojnë “të ruajnë lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion në një qasje me shumë palë”.
Dy ditët e Konferencës së Abixhanit kanë thelluar edhe me tej diskutimet mbi sfidat aktuale të rregullimit të platformave online dhe në fund vendet pjesëmarrëse kanë nënshkruar Deklaratën për Forcimin e Dialogut mes rregullatorëve dhe platformave të mëdha online si dhe Protokollin Vullnetar të Angazhimeve.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co