Emisioni “Në Shënjestër” i është rikthyer historisë së zhdukjes pa gjurmë të 10-vjeçarit Julian Çela më shumë se një dekadë më parë. Fëmija ishte në një qendër interneti kur u thirr nga dikush dhe prej atij momenti nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Pjesë nga dokumentari:
[embedded content]
Personi i cili do të pranonte se kishte rrëmbyer, torturuar dhe më pas vrarë, 10 vjeçarin Julian Çela, ishte Ardian Përrenjasi. Ky personazh ishte i njohur si riciklues në veprën penale të pedofilisë. Në vitin 2008, ai ishte dënuar për tentativën për të rrëmbyer një tjetër fëmijë, por që kishte mundur t’ja hidhte drejtësisë, duke u gjobitur me vetëm 60 mijë lekë dhe kësisoj të shëtiste i lirë, në kërkim të një gjahu tjetër. Por ky nuk ishte rekordi i vetëm që Përrenjasi, kishte në abuzimin e të miturve. Pasi në moshë të re ai ishte përzënë nga banesa, fillimisht nga familjarët e tij, pasi kishte rrëmbyer dhe abuzuar seksualisht një fëmijë në lagjen ku banonte. Rekord të cilin ai e përsëriti edhe në mars të vitit 2013, në zonën e Laprakës, ku rrëmbeu dhe abuzoi seksualisht një tjetër fëmijë. Do të ishin këto rekorde të njëpasnjëshme, që çuan grupin hetues në dyshimin se ai mund të ishte edhe rrëmbyesi dhe personi që mund të kishte zhdukur Julian Çelën.
Ai kishte humbur gjurmët jo shumë larg zonës ku banonte Ardian Përrenjasi. Por ndërsa pritën që pedofili serial, të mohonte akuzën për përfshirjen e tij në zhdukjen e Julianit, për habinë e grupit hetues, ai pohoi të kundërtën e asaj që ata prisnin duke rrëfyer se po, ishte ai personi që kishte gisht në këtë histori.
Madje duke treguar edhe vendin ku e kishte hedhur trupin pasi fillimisht e kishte tërhequr në banesë, ku e kishte vrarë dhe duke e hedhur më tej trupin në Landfillin e Sharrës. Këtë vend ku Përrenjasi merrej me grumbullimin e mbetjeve të ndryshme, e njihte më mirë se kushdo.Por shpejt hetuesit u bindën se Ardian Përrenjasi po gënjente dhe ai nuk kishte lidhje me ngjarjen, por e pranoi krimin për shkak të dhunës së ushtruar nga policia.
“Personi nën hetim në deklarimet e dhëna ka mohuar faktin e përfshirjes së tij në vrasje duke sqaruar se ai nuk ka patur njohje me rastin e Julian Çelës. Ai e ka pranuar se kishte gisht në zhdukjen e Julian Çelës për shkak të dhunës së ushtruar nga punonjësit e policisë. Ku është detyruar ta pranojë vrasjen nga frika”, thuhet në dosjen hetimore. Prrenjasi sipas prokurorisë u përgjua në ambientet e izolimit në biseda me të vëllain e tij, ku këmbëngul se nuk kishte lidhjen me krimin, ndërsa theksonte se ishte dhunuar. Një tjetër detaj që bindi grupin hetues se Ardian Përrenjasi nuk po tregohej i vërtetë në thëniet e tij, ishte edhe kontradikta që ai binte me veshjen që Juliani kishte në trup ditën që humbi kontaktet me familjen. Ai tha për oficerët e policisë, se ditën që rrëmbeu Julianin, ky i fundit kishte veshur një xhup blu, por në fakt kjo nuk ishte e vërtetë. Familjarët pohuan të kundërtën duke rrëfyer se atë ditë Juliani kishte një veshje tjetër.
Ndërsa xhupi blu ishte vetëm në fotot që familja kishte dorëzuar në media dhe në polici, çka tregonte se Ardian Përrenjasi po sajonte një histori, e cila nuk kishte baza të së vërtetës. Dhe se për fatin e Julianit, hetuesit do të duhet të vazhdonin të gërmonin në pista të tjera, që mund të ishin më të besueshme.
“Personi nën hetim deklaron se Julian Çela ka patur të veshur një bluzë sportive me kapuç ndërkohë që nuk jep asnjë karakteristikë tjetër në lidhje me veshjen e tij. Pra përshkrimi i dhënë prej tij lidhet me atë që ka parë në televizor. Ai deklaron se trupin e hodhi në landfillin e Sharrës, por kërkimet atje nuk dhanë rezultat. Ardian Prrenjasi deklaron se trupin e Julianit e mbështolli me një batanije të kuqe me vija të bardha, që ia kishte dhënë vëllai i tij, ndërsa vëllai e kundërshtoi këtë fakt.
Ai tha se nuk i kishte dhënë asnjë batanije Ardianit, çka bëri që edhe ky detaj të rrëzohej. Ai deklaroi se me 30 Nëntor ka qenë vetëm në shtëpi, në një kohë që bashkëshortja e tij iu tha hetuesve se atë mbrëmje ajo është ndodhur në banesën e saj. Ndërsa kampionet e ADN-së që u gjetën në shtëpinë e Përrenjasit nuk rezultuan të përputhshme me atë të Julian Çelës. Nisur nga më sipër prokurorët dolën në konkluzionin se ‘në analizë të provave të mbledhura gjatë hetimit mbetet i paprovuar fakti që shtetasi Julian Çela është vrarë dhe që ai të jetë vrarë nga Ardian Prrenjasi’”, thuhet në dosje.
Ardian Përrenjasi u dënua në vitin 2014 me 25 vite heqje lirie, për abuzimin me të miturin A.C në zonën e Laprakës, por nuk u provua asnjëherë lidhja e tij me rrëmbimin dhe zhdukjen e Julian Çelës. Por ndërsa edhe kjo pistë e cila në fillim u duk shpresëdhënëse, për të ditur se çfarë kishte ndodhur me Julianin, ra ashtu siç u ngrit. Më shumë sesa ndihmë, ngjan se arrestimi i Prrenjasit e dëmtoi më shumë hetimin e rastit. Për shkak të rrjedhjes në atë kohë në media të dëshmisë së tij, hetuesit dhe prokurorit të çështjes iu hoq nga duart dosja. A ishte apo jo i qëllimshëm devijimi i hetimit për zhdukjen e Julian Çelës, këtë duhet ta provojë një hetim i ri që mund të çelet për këtë rast.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co