Amnesty International theksoi si shqetësime në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri sulmet fizike dhe verbale kundër gazetarëve, vrasjen e grave në dhunën me bazë gjinore brenda familjes dhe ndërtimin e kampeve për burgosjen e refugjatëve azilkërkues që Italia po ndërton aktualisht në portin e Shëngjinit dhe në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit.
Amnesty, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi të mërkurën raportin e saj mbi gjendjen në 155 vende të vrojtuara, përfshirë Shqipërinë. Raporti vëren se autoritarizmi është një forcë në rritje në rang global dhe se numri i njerëzve që jetojnë në shtete demokratike, pra shtete të së drejtës apo shtete të sundimit të ligjit, ra gjatë vitit të kaluar në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1985.
“Praktikat dhe idetë autoritariste prekën apo u përdorën nga shumë qeveri dhe shoqëri. Në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, politikat autoritariste gërryen lirinë e shprehjes dhe të organizimit shoqëror, goditën barazinë gjinore dhe luftuan të drejtat seksuale apo riprodhuese,” vëren raporti.
Raporti shënjon mënjanë si shqetësim madhor zhvillimet në Lindjen e Mesme, kur krimet rrëqethëse të Hamas të kryera në 7 tetor 2023, në të cilën u vranë mbi njëmijë njerëz, shumica civilë izraelitë dhe mijëra të tjerë u plagosën e 245 vetë u morën peng, Izraeli nisi një fushatë hakmarrëse e cila, sipas Amnesty, u bë një fushatë ndëshkimi kolektiv. “Kjo është një fushatë e bombardimit të qëllimtë dhe jodiskriminues të civilëve dhe të infrastrukturës civile, të mohimit të asistencës humanitare dhe të krijimit të qëllimtë të gjendjes së urisë,” vëren raporti.
“Narrativat publike të bazuara në urrejtje dhe me rrënjë te frika, ngushtoi hapësirën civile dhe demonizoi grupet e margjinalizuara apo individët, me refugjatët, migrantët dhe grupet racore që po vuajnë. Sulmi kundër të drejtave të grave dhe barazisë gjinore u intensifikua më 2023, duke kërcënuar shumë nga arritjet e realizuara përgjatë njëzet viteve të fundit,” vëren më tej raporti.
Sa i përket Shqipërisë, raporti vëren se “gazetarët u shënjestruan nga gjuha e urrejtjes, sulmet fizike dhe një sulm me armë. Dhuna kundër grave brenda familjes vijoi, me 12 gra të vrara nga partnerët apo anëtarët e familjes.”
Raporti vëren se në drejtim të të drejtave të njerëzve LGBTI Shqipëria nuk ka shënuar progres.
Raporti thekson se vrasja e një rojeje sigurie në një sulm kundër Top Channel në mars 2023 ka mbetur me autorë të paidentifikuar dhe të pandëshkuar ndërsa një gazetar u sulmua fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij për shkak se kishte raportuar mbi një çështje gjyqësore.
“Gazetarët u sulmua nga figurat politike,” vëren raporti. “Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, iu referua një gazetareje investigative si “vrasëse me pagesë” në përgjigje të një artikulli në të cilin ajo kishte theksuar rolin që kryebashkiaku ka luajtur në projektin e incineratorit të Tiranës,” vëren raporti i Amnesty International duke iu referuar sulmeve të mediave proqeveritare kundër gazetares Ola Xama.
Raporti vëren si shqetësim të veçantë marrëveshjen kontroverse të arritur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni në lidhje me ndërtimin e dy bazave për izolimin e refugjatëve që Italia synon të kapë jashtë ujërave të saj territoriale dhe t’i sjellë në Shqipëri, teorikisht për procesimin e kërkesave të mundshme për azil.
Konsideruar gjerësisht si një goditje propagandistike që pritet t’i kushtojë taksapaguesve italianë qindramilionë euro për të arritur asgjë, plani ngre shqetësime serioze sa i përket dhunimit të të drejtave të azilkërkuesve, që po ndodh me ndihmën e qeverisë së një vendi që ka prodhuar azilkërkues me shumicë përgjatë tre dekadave të fundit.
“Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të tjera kanë shprehur shqetësim në lidhje me impaktin që kjo marrëveshje mund të ketë mbi të drejtat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, përfshirë faktin që ajo parashikon ndalim automatik të tyre”, vëren raporti.
Raporti mund të gjendet i plotë në gjuhën angleze këtu:
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co