50 projekte sociale në mbështetje të 37 mijë personave gjatë vitit 2023. Janë këto shifra të bëra publike së fundmi në raportin vjetor të Grupit BALFIN për Përgjegjësisë Sociale të Korporatës (CSR). Me mbi 30 vite aktivitet, Grupi BALFIN, një prej grupeve më suksesshme të investimeve prezent në 10 shtete dhe dy Kontinente; Evropë dhe SHBA, ka bërë publike në mënyrë transparente të gjitha shifrat për projektet sociale të mbështetura, tashmë përmes Fondacionit Mane, themeluar nga Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane.
Në një intervistë të tij, Menaxheri i CSR dhe Drejtori i Fondacionit Mane, Erion Ndrecka thekson se gjatë pesë viteve të fundit, janë realizuar rreth 300 projekte në bashkëpunim me 200 organizata dhe universitete, duke përfituar 400,000 individë. Vetëm gjatë vitit 2023 janë realizuar 50 projekte sociale kudo ku Grupi BALFIN është prezent me kompanitë e tij. Erion Ndrecka në intervistën e tij, jep publikisht detaje për këto projekte që lidhen me edukimin, rininë, ruajtjen e mjedisit, shëndetin dhe mirëqenien e grupeve shoqërore në nevojë si edhe me afrimin e publikut me vlerat më të mira historike dhe kulturore.
Fondacioni Mane është krijuar prej disa muajsh, megjithatë natyra e veprimtarisë së tij duket e ngritur mbi baza të forta. Cilat janë fushat kryesore të Fondacionit?
Janë 30 vite aktivitet i kompanive që formojnë Grupin BALFIN, aktivitet në biznes dhe angazhim social, që i paraprijnë Fondacionit Mane. Kompanitë e ndryshme të Grupit BALFIN kanë mbështetur vazhdimisht projekte në dobi të komuniteteve ku veprojnë, krahas praktikave të përgjegjshme në punën e përditshme. Ky ka qenë edhe një nga objektivat e Presidentit të Grupit BALFIN, Samir Mane, i cili themeloi edhe Fondacionin Mane për t’iu përgjigjur më mirë çështjeve të sotme në shoqëri.
Me formimin e Fondacionit, kontributi ndaj komunitetit qendërzohet në disa drejtime të mirëpërcaktuara dhe nëpërmjet një strukture të dedikuar. Fondacioni Mane trajton nisma që lidhen me edukimin dhe rininë, ruajtjen e mjedisit, shëndetin dhe mirëqenien e grupeve të caktuara shoqërore në nevojë, si dhe përpiqet të afrojë publikun me vlerat më të mira historike dhe kulturore. Na vjen mirë që vetëm gjatë vitit 2023 janë mbështetur rreth 37 mijë persona nga projektet sociale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku Grupi Balfin operon.
Angazhimi social është pjesë shumë e rëndësishme e filozofisë dhe vizionit të Grupit BALFIN. Përmes projekteve të përgjegjësisë sociale, Grupi BALFIN që ka ndihmuar mijëra individë gjatë dekadave në të gjitha vendet ku ky grup operon me kompanitë e tij. Gjatë pesë viteve të fundit, janë realizuar rreth 300 projekte në bashkëpunim me 200 organizata dhe universitete, duke përfituar 400,000 individë.
Si e keni bashkëpunimin me kompanitë e Grupit BALFIN?
Shtyllat ku e mbështet aktivitetin Fondacioni Mane janë përshtatur edhe me natyrën e kompanive që përbëjnë Grupin BALFIN, për të vënë sa më mirë në punë potencialin e tyre. Gjatë vitit 2023 janë realizuar 50 projekte sociale në të gjitha vendet e rajonit ku Grupi Balfin është prezent. Për ta ilustruar, nëse njëra prej kompanive ofron produkte kryesisht për fëmijë dhe të rinj, si JUMBO, ajo gjithashtu mbështet institucionet që trajtojnë fëmijët nga familje në vështirësi ekonomike apo që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Në rastin e kompanive të tregtisë me pakicë, si NEPTUN, SPAR apo Fashion Group, ne kemi organizuar fushata ku përfshijmë edhe klientët, të cilët kanë dhuruar produkte ushqimore dhe veshje për familjet në nevojë. Kjo gjë në të gjitha vendet ku kompanitë e grupit BALFIN operojnë. Vlen të veçoj mbështetjen nga NEPTUN Kosova për laboratorët e informatikës në Universitetin e Prishtinës si edhe JUMBO Kosova mbështetje për dy kopshte në Fushë Kosovë dhe Mitrovicë. Qendrat tregtare të Grupit BALFIN, QTU dhe TEG i vendosin ambientet në shërbim të nismave studentore dhe fushatave të bamirësisë nga organizata të ndryshme. Sektori ynë bankar, përfaqësuar nga Tirana Bank, vepron në fushat ku janë aktive edhe bankat botërore, si edukimi i të rinjve për mekanizmat financiarë. Po ashtu edhe Green Coast ka mbështetur projekte për studentët e departamentit të turizmit në Universitetin e Tiranës si edhe projekte për fëmijët në Himarë.
Mund të veçoni ndonjë prej nismave që mbështet Fondacioni Mane?
Programi B4Students është një shembull i mirë i ndikimit të drejtpërdrejtë në komunitet dhe njëkohësisht i koordinimit të përsosur midis Fondacionit dhe kompanive të Grupit BALFIN. Nëpërmjet këtij programi të Fondacionit Mane, qindra studentë në vit afrohen tek kompanitë për internshipe dhe mundësi punësimi. Një pjesë e tyre me mentalitet sipërmarrësi, aplikojnë për vënien në jetë të ideve të biznesit. Ndarja e përvojës profesionale mes ekspertëve të Grupit BALFIN dhe studentëve në fakultete të ndryshme është gjithashtu pjesë e programit tonë studentor. Numërojmë rreth 4000 studentë që janë bërë pjesë e këtij programi.
Kemi krijuar një traditë të përvitshme bashkëpunimi me botën universitare dhe shohim interes të ndërsjellë. Programi B4Students stimulon zhvillimin e qëndrueshëm personal dhe profesional të studentëve.
Duke qenë se u përmend bashkëpunimi i përvitshëm, si e arrini jetëgjatësinë e projekteve?
Përcaktimi i drejtimeve kryesore të punës së Fondacionit duke marrë parasysh edhe shembujt botërorë, na ndihmon të ruajmë fokusin. Zbatimi i nismave me bashkëpunëtorët e duhur është një tjetër faktor që na ndihmon të identifikojmë dhe promovojmë ato nisma që kanë ndikim afatgjatë. Vetëm gjatë viti 2023 realizuam 10 projekte vjetore. Ne jemi partnerë të organizatave me reputacion ndërkombëtar që veprojnë në rajon. Gjatë vitit 2023 kemi bashkëpunuar me 40 organizata partnere. Këtu mund të përmendim bashkëpunimin afatgjatë me SOS Villages në disa vende si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni e Mal të Zi, duke siguruar produkte të nevojshme për fëmijët.
Me World Vision kemi ngritur disa linja bashkëpunimi prej vitesh tashmë, për të ndihmuar një numër të konsiderueshëm familjesh me asistencë mjekësore, veshje dhe ushqime. Me Junior Achievement kemi realizuar shumë projekte interesante për nxitjen dhe përfshirjen e të rinjve në sipërmarrje. Po ashtu kemi marrëveshje bashkëpunimi me disa universitete, duke u fokusuar në shkëmbimet e njohurive dhe ndihmën për studentët në profilet e punës ku janë aktive kompanitë e Grupit BALFIN.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co