Pesë kartonë të kuq e bëjnë Milanin skuadrën e dytë më të ndëshkuar në këtë sezon të Serisë A. Më keq ka bërë vetëm Verona me shtatë përjashtime, por nuk është ky i vetmi problem i Milanit.
Askush më mirë se një trajner nuk i njeh problemet e ekipit të tij dhe për t’i analizuar ka menduar Serxho Konseisao në një intervistë për televizionin e klubit.
Një tjetër paraqitje ndryshe, por humbja mbetet emërues i përbashkët. Si e shpjegoni? Nuk është e lehtë. Shumë episode po na ndodhin, të cilat më pas janë vendimtare për rezultatin. Ambienti nuk ishte i lehtë për lojtarët dhe kjo u pa edhe ndaj Lacios. Nuk është se lojtarët nuk donin të fitonin, sepse u pa në pjesën e dytë. Edhe kur ishim numerikisht më pak ne u përpoqëm ta fitonim ndeshjen. Për më tepër që kishim dy ditë më pak pushim se Lacio. Jemi skuadra italiane me më shumë ndeshje, duhet ta kemi parasysh edhe këtë. Të humbasësh siç na ndodhi të dielën, nuk është e lehtë.
Keni menduar të bëni një hap prapa? Ajo që më prek më shumë janë lojtarët, duke parë fytyrat e tyre, zhgënjimi është edhe më i madh. Unë jam me ta. Unë jam këtu për të mbrojtur lojtarët e mi dhe dhomën time të zhveshjes. Nëse më duhet të punoj dy ose tri orë shtesë, do ta bëj. Jemi në një fazë negative përsa u përket rezultateve dhe episodeve. Le të vazhdojmë të punojmë, sepse nuk ka rrugëdalje tjetër.
A do të bënin lojtarët të njëjtën gjë për ju? Po, është e qartë. Nëse nuk e ndiej, do të thosha. U pa edhe në pjesën e dytë ndaj Lacios, kur djemtë, me një shok më pak, u munduan të fitonin ndeshjen.
A do ta vazhdonit projektin vitin e ardhshëm? Kam kaq shumë gjëra për të menduar. Fillimisht më duhet të mendoj për Leçen, nuk mendoj se kush e di se çfarë tjetër. Unë jetoj ditë pas dite. Gjëja më e rëndësishme është Milani, nuk është Konseisao e as fakti nëse qëndroj ose jo. Më vjen keq për tifozët dhe lojtarët. Kjo më dhemb. Jam vërtet i lënduar nga këto rezultate. Nuk ndihem aspak mirë.
Çfarë duhet bërë tjetër sipas jush? Duhet të vendosim krenarinë tonë dhe të punojmë shumë, nga çdo këndvështrim. Duhet të gjejmë një ekuilibër, kompaktësi në skuadër, që në momente të tilla të mos pësojmë gola dhe t’i bëjmë ato vrapim shtesë në 30 metrat e fundit. Mund të kishim bërë golin e 2-1 para penalltisë së Lacios, nëse freskia do të ishte më e mirë. Qëndrimi dhe dëshira për të fituar janë në çdo ndeshje dhe kjo më lë të kënaqur.
Pse një ekip me shpinë pas murit e ka kaq të vështirë? Edhe me djemtë gjithmonë flasim për të njëjtën gjë. I përgatisim ndeshjet në një kohë shumë të shkurtër, Flasim për këtë ambient dhe ishte e çuditshme: hera e parë që më ndodh në karrierën time. Lojtarët e ndjejnë. Unë vetë kam qenë lojtar dhe e dimë se kur është kështu këpucët dhe topi janë të nxehta.
Por, a është grupi me ju? Skuadra tregoi karakter të madh kur mbeti me dhjetë lojtarë, madje mund të kishim fituar. Në fund pati penallti. Lojtarët më japin përgjigje pozitive. Mes nesh në stërvitje analizojmë gjithçka, por në fushë biem shpesh në situatën e vështirë që ka qenë që nga fillimi i sezonit.
Një fakt: vrapime pas. Kur duhet të vrapojnë përpara, disa lojtarë shkojnë shpejt, por kur duhet të kthehen, nuk arrijnë kurrë në ato shpejtësi. Si e shpjegoni? Shumë e rëndësishme. Po punojmë edhe për këtë. Loja zhvillohet me topin në përpjekje për të çmontuar organizimin mbrojtës të kundërshtarit dhe kur nuk e ke topin, duhet të kesh të njëjtën disponueshmëri: ndonjëherë ne vuajmë në atë aspekt. Mendoj se ka lojtarë që janë të aftë teknikisht dhe mund të bëjnë diferencën në nivel sulmi, por duhet të kuptojnë se janë të rëndësishëm për ekipin edhe në mbrojtje.
Çfarë i mungon Milanit? Duhet të gjejmë një ekuilibër të rëndësishëm për të fituar ndeshjet, sepse kemi cilësitë teknike. Për të ndryshuar ndeshjet mjafton një episod dhe shpesh ne atë episod e kemi pasur kundër. Por, nuk dorëzohemi.
PANORAMASPORT.AL