Deputetja demokrate Jorida Tabaku, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me veprimtarinë e SPAK dhe reagimin e politikës ndaj strukturës së posaçme.
Tabaku u shpreh se politika ka frikë nga SPAK dhe zyrtarët sot kanë frikë të firmosin nga frika e Prokurorisë së Posaçme.
Duke komentuar deklaratat e fundit shpërthyese të Ilir Metës ndaj këtij institucioni, ajo i cilësoi ato si të papranueshme, teksa theksoi se beteja e opozitës nuk është me SPAK.
“Politika ka frikë nga SPAK-u. Zyrtarët sot kanë frikë të firmosin nga frika e SPAK-ut. Ne nuk e kemi betejën me SPAK. Duke besuar te forca e ligjit duhet ta lëmë të bëjë punën e vetë dhe të fokusohemi te ndryshimi i kulturës së korrupsionit.
Deklaratat e Metës më janë dukur të papranueshme. Nuk e kemi betejën me SPAK. Duhet të shohim si të përdorim çdo gjë që ka ndodhur për t’i kërkuar SPAK të shkojë te nivelet më të larta të pushtetit dhe të tregojë se nuk ka frikë nga pushteti. Duhet t’i lëmë kohën e duhur.
Ne duhet të kemi një vëmendje të shtuar në prokurorët që do futen në sistem, por edhe në kreun e ardhshëm. Nëse ka një njeri që është i interesuar që SPAK të mos ketë pavarësi, ky është kryeministri”, u shpreh Tabaku.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co