Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviqit, i ndaluar të mërkurën nga autoritetet serbe, po vazhdon të mbahet në burg në Serbi. Ish-nënkoloneli, Rrahman Sylejmani, ka thënë se Serbia po përpiqet të përdorë tensionet dhe presionin për të ndikuar tek serbët në lëshimin e punës së tyre në Kosovë.
Në RTV Dukagjini, Sylejmani ka thënë se me Jankoviqin kishte punuar për një kohë, dhe e ka vlerësuar si person të çmuar dhe të respektuar në policinë kosovare. “Këtë e shoh në përpjekjen e presionit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të minoriteteve të komunitetit serb që të kundërshtojnë, sepse me Dejan Jankoviq kam punuar, është një person shumë i çmuar dhe i respektuar në Policinë e Kosovës që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fazat e zhvillimit dhe progresit të Policisë së Kosovës që nga fillimi”, ka deklaruar ai.
Sylejmani gjithashtu ka përmendur se ndaj zëvendësdrejtorit Jankoviq ka pasur atentat në vitin 2005-2006 nga Serbia, megjithatë sipas tij, ai ka qëndruar i palëkundur ndaj presioneve.
“Ky ka pasur edhe një tentim atentat në vitet e 2005 ose 2006, dhe aty ka pasur dyshime që qëndron bija e Serbisë ka gisht në atë atentat edhe pse janë munduar ta tregojnë si sulm nga shqiptarëve në Kosovë. Ky nuk iu ka nënshtruar atyre presioneve edhe besoj që do të qëndroj i dinjitetshëm edhe i tillë, sepse kështu është. Kjo është përpjekje për t’i frikësuar atë numër që punojnë dhe të lëshojnë shërbimin në Policinë e Kosovës”, është shprehur ai.
Gjithashtu, ai ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosndëshkimin e Serbisë ndaj veprimeve të saj, duke theksuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po ledhatohet dhe nuk po munden ta ndajnë nga Rusia.
“Mosndëshkimi i Serbisë nga BE-ja por edhe mekanizmave tjera ndërkombëtare atëherë çfarë të presim tjetër ne të ndodhë, kur ai [president serb, Vuçiq] aq shumë po ledhatohet edhe po marrin kontra efekt, sepse ata as nuk po munden ta ndajnë nga Rusia e as me disiplinu në asnjë pikë”, ka deklaruar tutje Sylejmani.
Derisa ish-ushtaraku, Hysen Gecaj, ka thënë se Serbia po tenton të tregohet si një faktor, ku i dërgon mesazh bashkësisë ndërkombëtare që kinse është faktor stabiliteti, sepse dihet që trysnia ka filluar të rritet karshi Kosovës dhe Serbisë për implementimin e marrëveshjeve të mëhershme.
Gecaj, ka thënë se kemi pasur raste edhe më herët të tentativave të Serbisë për të destabilizuar Kosovën sidomos në pjesën veriore dhe kjo e fundit është në vazhdën e atyre tentativave.
“Herë pas here këto tentativa janë më të ashpra e më të theksuara dhe sigurisht që kjo nisma për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës e ka frustruar edhe më tepër Vuçiqin. Ai për herë të parë e humbi kontrollin për kundër faktit që mundohet të paraqesë vetën dhe Serbinë si viktimë karshi bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Gecaj.
Gecaj ka folur edhe për aspektin e sigurisë, sipas tij ky është një moment frustrimi i aparatit shtetëror serb, pasojat i ndjejnë qytetarët serb të Kosovës por edhe shqiptarët, teksa përmendi edhe rastin e ditës së djeshme ku shumë mërgimtarë u mbajtur në kufi nën një trysni të jashtëzakonshme nga institucionet serbe të sigurisë.
“Serbia me këtë sjellje tenton të tregohet si një faktor, dërgon mesash që unë jam faktor stabiliteti, i dërgon mesazh bashkësisë ndërkombëtare sepse dihet që trysnia ka filluar të rritet karshi Kosovës dhe Serbisë për implementimin e marrëveshjeve të mëhershme”, ka shtuar ai.
Sipas Gecajt, Vuçiqi është i vetëdijshëm se e gjithë bota e di, që shakatari i të gjitha problemeve në Ballkan është Serbia, dhe nuk ka çka të humbasë më shumë mirëpo ai po i shfrytëzon këto momente, këto situata që në një moment të caktuar kur të ulen për bisedime të përfitojë sa më shumë që është e mundur.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co