Emisioni Vetting në News24
“Ti flet, fjala vjen për një tunel që do ndërtosh në Karaburun, që është ngjitur me Parkun Kombëtar të Llogarasë, ngjitur me Parkun Kombëtar Sazan-Karaburun Detar, ngjitur aty me atë tjetrin. Dhe aty pastaj lexon nëpër të e nëpër rreshta, që flitet për habitate në përmet, Alpet etj, etj. Pra, këto copy pastet janë motamo. Por një studim serioz i vlerësimit të ndikimit në mjedis, duhet të marrë në analizë këto lloj vlerësimesh në analizë dhe në gjykimin përfundimtar mund të qëllojë që të thonë ekspertët dhe duhet të qëllojnë në shumicën e rasteve që thonë: “Kjo nuk duhet, nuk bën, ose mund të mos bëhet”, deklaron eksperti i Mjedisit, Olsi Nika.
Shqetësimet e ngritura nga ekspertët e Zonave të Mbrojtura për mënyrën se si veprohet me studimet mbi impaktin që kanë projektet infrastrukturore nuk janë sinjale të rastësishme.
Nga investigimi në terren i gazetarëve të “Vetting” zbulohet se kompania “Gjoka Konstruksion” ka gllabëruar sipërfaqe toke nga Parku Natyror i Karaburunit.
Pamjet ekskluzive nga terreni zbulojnë se zona e mëparshme e Karaburunit e mbuluar me pyje është dëmtuar nga kompanitë pranë tunelit, duke zënë sipërfaqe, e cila nuk përfshihet në kontratë.
[embedded content]
“Nuk mund të ndërtohet pa patur një plan shumë të mirë, pa patur një raport të ndikimit të vlerësimit në mjedis shumë të mirë, pa patur një studim fizibiliteti shumë të mirë, në kuptimin edhe të parave sepse në fund të ditës janë taksat tona dhe mbi bazën e këtyre studimeve jepen lejet përkatëse”, thotë Nika.
“Vetting” ka mësuar se, “Gjoka Konstruksion” ka marrë leje mjedisi të tipit B në vitin 2022, për zonën në hyrjen dhe daljen e tunelit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Në këtë leje specifikohet dhe zona e kantierit, ku do të vendosen inertet e nxjerra nga tuneli.
Por dalja e tunelit në Zonën e Mbrojtur të Karaburunit zbulon shkeljen që është bërë nga kompania, e cila merret me zbatimin e projektit. Në lejen e mjedisit të tipit B përcaktohet se zona, ku do të vendosen dherat e nxjerra nga tuneli do të jenë jashtë Karaburunit, në kufi me zonën e mbrojtur.
Fig.1 Harta ku jepet zona
Pamjet filmike zbulojnë makineritë që përdoren për thyerjen e gurit jashtë tunelit ndërkohë që pjesa në ngjitje është shkatërruar nga makineritë, të cilat e kanë shfrytëzuar si gurore. Por zona ku kanë ndërhyrë kompania private është nën zona qendrore e Parkut Natyror të Karaburunit.
Sipas ligjit të vjetër të Zonave të Mbrojtura, ku disa pika janë shfuqizuar para disa javësh në Parlament, por që ishin në fuqi në momentin e ndërhyrjes, kompania private nuk mund të kryente asnjë lloj aktiviteti. Kjo pasi në këtë sipërfaqe, që ka si funksion ruajtjen tërësore të biodiversitetit dhe siguron një zonë natyrore të pa shqetësuar, përdoret shkalla e parë e mbrojtjes (strikte).
Sipas kushteve të kontratës, përgjegjësitë në këtë rast për veprimet e gabuara të nënkontratorit bien mbi kompanitë turke, pasi ato do t’i shlyejnë dëmin Ministrisë së Infrastrukturës. “Vetting” kontaktoi Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për masat e marra ndaj ndërhyrjes në zonën e Karaburunit, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori asnjë përgjigje.
“E bëmë këtë guroren? Në përfundim të rrugës apo të tunelit në rastin konkret, duhet ta rikthejmë mjedisin në gjendjen që ishte. Pra, duhet t’i rimbjellim pemët, ti sistemojmë dherat, ta risjellim aty ku ishte dhe këto i përcakton vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe në bazë të këtyre merret leja. Dhe nëse nuk përmbushen pikat e lejes, ka pastaj penalitete”, shprehet Olsi Nika.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co