
Juventusi është në bankën e të akuzuarve. Eliminimi me penallti në Kupë nga Empoli, një skuadër e cila për më tepër po aktivizonte shumë lojtarë të rinj, ka bërë që bardhezinjtë të etiketohen përsëri si dështakë dhe aq më shumë projekti që kanë zgjedhur me Tiago Motën në pankinë.
Ky i fundit bëri autokritike dhe e pranoi se ekipi kishte bërë lojë të turpshme dje pas ndeshjes. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur sot Kristiano Xhuntoli, drejtori sportiv i bardhezinjve në fjalët e tij para mediave, ku diskutoi edhe zërat për një largim të teknikut aktual.
“Jemi në të njëjtën linjë me atë që ka thënë trajneri dje, ishte një paraqitje e papranueshme. Është e bindur skuadra dhe jemi të bindur edhe ne. U takuam me mendjen e ftohtë dhe kemi folur me skuadrën, jemi të gjithë të bindur që duhet të bëjmë më shumë për të arritur objektivin e Champions.
A është pozicioni i trajnerit i sigurt? Jemi të bindur se projekti i nisur në verë është i rëndësishëm dhe po merr vlerë dhe në të ardhmen do të sjellë kënaqësi. Kështu që Mota nuk është në diskutim”, ishin fjalët e Xhuntolit për “Sky”.
“Dje ishte një ndeshje e pashpjegueshme. Vinim nga katër ndeshje zyrtare. Sot jemi pak të inatosur por përtej kësaj jemi të bindur që projekti është i duhuri. Kush kërkon pa dhënë gjë? Me këtë frazë Mota kërkoi që skuadra të kishte ndjenjën e përgjegjësisë, nuk e kishte me një apo dy në veçanti. Zhgënjim nga merkato? Kemi ndryshuar shumë, kemi afruar shumë lojtarë por jemi të bindur se do të bëjnë mirë këtu, siç kanë bërë në vende të tjera. Klubi është gjithmonë përgjegjës për atë që ndodh”, tha Xhuntoli.
PANORAMASPORT.AL