DURRES
Rreth 100 familje të një pallati 13-katësh ne lagjen 17 në Durrës kane sfiduar rrezikun, duke hyrë në apartamentet e tyre të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019. Banorët këtë vendim e morën pasi prej 10 muajsh nuk iu është dhënë bonusi i qirasë edhe pse pallati i tyre pas verifikimeve të kryera është klasifikuar në shkallën e dëmtimit DS4. Kreu i PD-së në degën e Durrësit, Joni Myshketa, i cili shprehet se ndërprerja e bonusit të qirasë që prej marsit të vitit të shkuar përbën një shkelje nga ana e pushtetit qendror.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Bashkia e Durrësit, duke sqaruar se për pallatin nr. 62 në lagjen 17 është hartuar një projekt i detajuar dhe është miratuar fondi përkatës, si dhe pritet të hapet procedura për përcaktimin e firmës fituese që do të fillojë punën për riforcimin e pallatit.
Bashkia e Durrësit bën me dije se përmes buxhetit të vetë bashkisë do të riforcohen edhe 6 pallate të tjera, pallati nr.15, rruga “Abaz Çelkupa”, pallati nr. 8, rruga “Pelikan”, pallati “Rajfi” rruga “Iljaz Reka”, pallati nr.1047 rruga “Taulantia”, pallati nr.5, rruga “Adria”, si dhe dy shkolla në Sukth dhe Manëz. Në këtë mënyrë, bashkia kundërshton deklaratën e kreut të PD-së, Durrës duke faktuar përmes një fotoje, se këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Durrësit nuk e kanë votuar buxhetin e vitit 2024, ku përfshihej edhe fondi për 6 pallatet dhe 2 shkollat.
Megjithatë, në këtë komunikatë Bashkia nuk përcakton se kur do të nisin punimet për forcimin e pallatit, si dhe nuk jep asnjë shpjegim për vijimësinë apo jo të bonusit të qirasë.
[embedded content]
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co