ITALI
Ministri i Financave Ervin Mete, priti në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë, Roberto Alesse dhe Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza, z. Andrea De Gennaro, në kuadër të një vizite zyrtare në Tiranë.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm mes administratave doganore të dy vendeve dhe u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm në të ardhmen.
Në mënyrë të veçantë, palët biseduan mbi lehtësimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, përputhjen e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Europian, rritjen e mëtejshme të sigurisë ndërkufitare dhe luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.
Ministri Mete shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe institucioneve të saj për të rritur nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në këtë kuadër, Ministri vlerësoi si një zhvillim pozitiv nënshkrimin e Memorandumit mes Administratës Doganore Shqiptare, asaj Italiane dhe Guardia di Finanza për vënien në funksion të Komisionit të Përbashkët Doganor Italo-Shqiptar, si një instrument për forcimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e dialogut ndërmjet Administratave Doganore të Italisë dhe Shqipërisë.
Komisioni do të kryejë monitorimin e bashkëpunimit mes administratave doganore të dy vendeve dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta në kuadër të përafrimit të procedurave dhe legjislacionit me standardet dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co