Euro U-19 për vajza/ Shqipëria merr tre pikët e para, mposht Qipron në ‘Elbasan Arena’

euro u 19 per vajza shqiperia merr tre piket e para mposht qipron ne elbasan arena
euro u 19 per vajza shqiperia merr tre piket e para mposht qipron ne elbasan arena

Shqipëria e vajzave U-19 fitoi me rezultatin 3-0 ndeshjen e parë ndaj Qipros, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2024.

Në takimin e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi triumfuan me golat e Rexhina Maxhalakut, Era Methoxhës dhe Klesta Agos. 

Trajneri i Shqipërisë U-19, Kreshnik Krepi hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Rexhina Maxhalaku, Rosela Vasa, Gelda Kadiolli, Vesa Paçarizi, Xhesika Ndoj, Arlinda Kodra (C), Klesta Ago, Era Methoxha, Jehona Coka, Klaudia Borci.

Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë, duke dominuar që në startin e takimit. Vajzat regjistruan disa raste të mira, ndërsa në të 26-ën ja dolën mbanë të gjenin rrugën e rrjetës me Klaudia Borcin, por goli u anulua për pozicion të parregullt.

Vetëm katër minuta më pas në të 30-të, vajzat kuqezi shënuan sërish, këtë herë gol i rregullt. Methoxha harkoi saktë nga goditja e këndit dhe mbrojtësja Rexhina Maxhalaku e dërgoi topin në rrjetë.

Në të 34-ën Shqipëria i shkoi shumë pranë golit të dytë me Rosela Vasën, e cila provoi nga goditja e dënimit, por topi përfundoi jashtë. Sërish Shqipëria që regjistroi një tjetër rast të artë me sulmuesen Klaudia Borci, e cila goditi saktë nga brenda zonës, por topi u largua shumë pranë vijës fatale nga mbrojtja qipriote. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për Shqipërinë.

Edhe fraksioni i dytë nis mirë për nën 19 vjeçaret kuqezi, të cilat kërkojnë golin e dytë. Është Jehona Coka ajo e cila provon në minutën e 48-të dyfishojë shifrat, me një goditje potente nga e majta, por pret portierja kundërshtare.

Goli i dytë vjen pak minuta me vonë, në të 53-tën. Klaudia Borci asiston për Era Methoxhën, me këtë të fundit që kontrollon topin shumë mirë, duke e dërguar në fundin e rrjetës qipriote, duke dyfishuar rezultatin për Shqipërinë.

Trajneri Krepi bën dy zëvendësime në radhët e vajzave kuqezi, një ndër të cilat i detyruar për shkak të dëmtimi të Jehona Cokës në fushë, vendin e së cilës e zë Alesia Çinaj. Edhe Arlinda lë fushën, duke u zëvendësuar nga Angela Nika.

Në minutën e 85-të, Klesta Ago realizon golin e qetësisë për Shqipërinë, pas asistit të Vesa Paçarizit, duke i çuar shifrat në 3-0.

Tekniku kuqezi bën edhe dy zëvendësime të tjera, duke hedhur në fushë Stacey Qosjen dhe Natali Gjergjin në vend të Klaudia Borcit dhe Era Methoxhës.

Në minutat shtesë, Stacey Qosja mund të shënonte edhe golin e katërt, por e dërgoi topin jashtë. 3-0 është edhe rezultati final i ndeshjes së parë të Shqipërisë U-19 për vajza, që e nis mjaft mirë ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshe.Në ndeshjen tjetër të grupit B6, Skocia mposhti Lihtenshtejnin me rezultatin 10-0.

Shqipëria U-19 e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë të këtij raundi më 6 prill, ndaj Lihtenshtejnit në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 15:30.

Rezultatet dhe renditja në grupin B6:

Skoci 10-0 Lihtenshejn

Shqipëri 3-0 Qipro


Skoci 3 pikë

Shqipëri 3 pikë

Qipro 0 pikë

Lihtenshejn 0 pikë

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →