Gazeta prestigjoze në Gjermani “Bild” raporton se sulmuesi Herri Kejn ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij me Bajern Mynih, që ka qenë në fuqi qysh nga 2023.
Një nga qëllimet e Kejn është të thyejë rekordin e golave në Premier Ligë, pasi ai aktualisht qëndron i dyti në renditje, 47 gola prapa liderit Alan Shirer. Kur Herri iu bashkua Bajernit, ai donte të futej një klauzolë në kontratën e tij, që do t’i lejonte të rikthehej në Premier Ligë, nëse paraqitej një mundësi. 31-vjeçari ka një klauzolë lirimi që mund të aktivizohej në merkaton e dimrit 2025, që mbante vlerën e 80 milionë eurove, megjithatë klauzola nuk u aktivizua dhe tani ka skaduar.
Nëse anglezi dëshiron të lëvizë vitin e ardhshëm, atëherë një klauzolë e re bëhet aktive janarin e 2026-tës, e cila më pas kap vlerën e 65 milionë eurove. Vera e vitit 2026 do të ishte shansi i fundit që bavarezët mund të marrin një tarifë për kapitenin e Anglisë, pasi kontrata e tij skadon në 2027. Për momentin, nuk ka gjasa që Kejn të ketë ndonjë interes për të përdorur klauzolën, pasi ai është i lumtur në Mynih si nga pikëpamja futbollistike, ashtu edhe nga ajo private.
Kjo nuk e ndalon klubin më të titulluar në Gjermani që të ndjekë zëvendësimin afatgjatë të goleadorit anglez. Benjamin Sheshko i Lajpcig dhe Viktor Giokeres i Sportingut janë emra të përmendur të dy dhe do të kushtonin 70 milionë euro, por fitojnë shumë më pak rrogë se Kejn. Totenhemi e shiti kapitenin e Anglisë te Bajerni për 95 milionë euro në verën e vitit 2023 dhe që atëherë anglezi ka shënuar 70 gola, si dhe ka regjistruar 22 asistime në 72 ndeshje.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL